“Ura e Mifolit, pikë turistike së shpejti”/ Rama: Novosela, historikisht vatra e përmbytjeve, po reziston më së miri falë investimeve

TIRANË, 12 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ishte sot në Novoselë të Vlorës ku, theksoi se, “ka qenë historikisht vatra e përmbytjeve katastrofike, që këtë herë po reziston më së miri falë investimeve e punës me zhbllokimin e kanaleve kryesore pas dekadash taposjeje nga plehrat”.

“Investimet po vazhdojnë dhe do të vazhdojnë, ndërkohë Urën e Mifolit me segmentet e rrugës në hyrje e dalje të saj, do t’i kthejmë në shëtitore e njëkohësisht pikë turistike së shpejti”, tha Rama.

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, u shpreh se, “ajo që kemi parë gjithë këto ditë është që niveli i Vjosës arriti maksimumin para 2 ditësh me 7.2 metra, aktualisht është 6.7 metra, me një rritje të lehtë gjatë ditës së sotme për arsye të nivelit të lartë të prurjeve që ka pasur në zonën e Tepelenës dhe të Memaliajt”.

Leli theksoi se, “pavarësisht kësaj situata ka qenë nën kontroll. Nuk kemi pasur asnjëherë probleme. Janë evakuuar të gjitha ato familjet që kanë ndërtuar në vitet e fundit siç e dimë të gjithë në shtratin e lumit. Vetëm 10 familje janë që janë evakuuar”.

Kryeministri Rama u shpreh se, “nëse këtu nuk do të ishin bërë gjithë këto punë, megjithë zhbllokimin e kanaleve dhe em investimet, me këto reshje tani, këtu do të ishte bërë hataja”.

Leli i tregoi kreut të qeverisë se, “vetëm pak metra nga këtu ngjitur me urën është investimi i ri që do të  financohet nga FSHZH prej 490 milionë lekë të vjetra, i cili është tenderuar, është zgjedhur firma ndërtuese dhe presim pushimin e reshjeve që të fillojë investimi sepse procedurat kanë mbaruar në muajin dhjetor. Kjo mbron të gjithë zonën e fshatit Fitore, që ka qenë një nga zonat më problematike dhe më të përmbytura në të gjithë territorin”.

Leli shtoi se, “në pjesën e zonës së Mifolit që ishte gjithashtu një pjesë që përmbytej gjatë çdo rasti përmbytjesh, u investua 1 vit e gjysmë më parë rreth 900 milionë lekë të vjetra nga qeveria shqiptare”.

Kryeministri Rama u shpreh se duhet të bëjmë një projekt për urën e Mifolit.

“Ura është monument historie. Kështu që duhet të bëjmë një projekt. Nuk është ndonjë gjë e madhe të bëjmë një projekt modest dhe duke qenë se kjo është urë këmbësore, ta heqim këtë shtresën asfaltike, ta shtrojmë bukur, me ndriçim, që të duket qartësisht që kjo kështu, nuk është se nuk mund të riparohej, në kuptimin që të drejtohej, por lihet kështu dhe pjesa poshtë i bëhet një super dysheme me një material me gura dhe bëhet një shëtitore. Natyrisht vendosim parmakë të bukur urban, që ato duhet të jenë qartësisht të një kohe tjetër, të distancuar në kuptimin në kohë”.

Rama tha se “ndërtohet dhe një shteg këmbësorësh dhe kjo e gjitha  bëhet si një bulevard për gjithë Novoselën, por edhe për turistët. Kjo bëhet atraksion turistik”.

Kryeministri Rama kërkoi nga kryebashkiaku Leli dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku se, “brenda shkurtit dua projektin”.

 

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.