Shqipëria e futbollit tërheq vëmendjen europiane

TIRANË, 12 janar /ATSH/ Shqipëria e futbollit ka qenë në qendër të vëmendjes së UEFA-s në javët e fundit.

Sigurisht, vendimi i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, që Tirana të presë finalen e parë të kompeticionit më të ri në Europë, UEFA Conference League, ka qenë i bujshëm dhe historik, njoftoi sot Federata Shqiptare e Futbollit.

Në numrin e fundit të revistës zyrtare të qeverisë së futbollit europian “UEFA Direct”, emri i Shqipërisë, Tiranës, stadiumit kombëtar “Air Albania” dhe Federatës Shqiptare të Futbollit janë lakuar për dy tema të rëndësishme.

E para, është zhvillimi i finales së Conference League në kryeqytet, i cili do të nisë nga sezoni i ardhshëm dhe i është dhënë një hapësirë e madhe, duke i bërë jehonë kësaj ngjarjeje.

“Stadiumi, me një kapacitet prej 21690 personash, në Tiranë, Shqipëri, do të presë finalen e parë në 25 maj 2022, siç u lajmërua nga Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s në 3 dhjetor 2020”, shkruhet në artikullin e posaçëm për këtë vendim.

Ky është një lajm i mirë për Shqipërinë, që sërish, përmes futbollit, ia doli të jetë në qendër të medieve europiane dhe të jetë në faqet e revistës së UEFA-s, duke ndikuar në imazhin e vendit.

Po në këtë numër një hapësirë të konsiderueshme i është dhënë edhe 90-vjetorit të Federatës Shqiptare të Futbollit me nën artikull që shpjegon gjithçka, që nga hapat e para të këtij institucioni e deri te suksesi i kualifikimit për në finalet e Euro 2016.

“Kushtet e krijuara nga kufizimet për shkak të pandemisë shkaktuar nga COVID-19 e penguan Federatën në organizimin e një serie aktivitetesh të programuara, por pavarësisht kësaj, opinioni sportiv në Shqipëri e përjetoi atmosferën festive që FSHF përçoi nëpërmjet mesazheve të saj”, shkruhet në artikullin e publikuar në botimin zyrtar të UEFA-s. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.