IGJEUM: Reshje të dobëta në të gjithë qarqet, mbetet i lartë niveli i ujërave në Drin dhe Bunë

TIRANË, 12 janar/ATSH/ Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEUM) bën të ditur se sot pasdite dhe nesër priten reshje të dobëta në të gjithë qarqet e vendit, ndërsa në qarkun e Vlorës reshjet do të arrijnë lokalisht deri mesatare. Në veri, lindje dhe juglindje të vendit në lartësitë mbi 400 m reshjet do të jenë në formë bore.

Nga llogaritjet e IGJEUM, nivelet në lumenjtë Drin dhe Buna do të vazhdojnë të jenë të larta dhe me probleme lokale të përmbytjeve.

“Tërheqja e ujit në shtratin natyral të lumit Buna parashikohet të ndodhë në datën 14 janar 2021. Lumi Vjosa pritet të ketë një rritje sot nga prurjet që vijnë nga jashtë territorit por brenda kuotave maksimale të argjinaturave. Ditën e nesërme lumi Vjosa do ketë rënie të ndjeshme të prurjeve”, bën të ditur IGJEUM.

Ndërsa, lumenjtë e tjerë do të vazhdojnë të kenë nivele të larta, por nuk priten probleme të shtuara nga përmbytjet.

Nesër temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë në bregdet: 8/11 °C, në vendet e ulëta: 6/10 °C, në vendet malore: -1/6 °C. Sot pasdite dhe nesër era pritet të fryjë e lehtë deri mesatare. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.