TIRANË, 12 janar/ATSH/ Dita e parë e vaksinimit kundër COVID-19 ka ecur mbarë, me vaksinimin e 50 mjekëve dhe infermierëve të parë të spitalit Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi”.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale përcolli pamje nga procesi i vaksinimit të mjekëve dhe infermierëve që nisi ditën e djeshme në qendrën e vaksinimit në stadiumin “Air Albania”.
Silva Bino, shefe e departamentit të Epidemiologjisë pranë Institutit të Shëndetit Publik shpjegoi procedurën para vaksinimit, për të gjithë vaksinatorët.
“Që sot me këtë hap që nisëm, ndoshta është fillimi i kthimit në normalitet, për t’i dhënë fund kësaj gjëje dhe ndoshta këto janë një ogur i mirë për të gjithë këtë situatë të paparë që ne përjetuam”, u shpreh një mjek.
‘’Ndjehem shumë mirë. Nuk kam asnjë shqetësim deri tani. Njëkohësisht, ndjehem e lumtur që ia arritëm kësaj dite’’, tha një tjetër mjeke e vaksinuar dje.
Manastirliu thotë se edhe sot do të vijohet me vaksinimin në Qendrën e Vaksinimit në Air Albania Stadium, të epidemiologëve, mjekëve dhe infermierëve në vijën e parë të përballjes me “armikun e padukshëm”. z.tosku/j.p/r.e/