BRUKSEL – BE suficit prej 75,6 miliardë eurosh në TIII 2020

BRUKSEL, 12 janar /ATSH-AA/ – Bilanci i llogarisë rrjedhëse të Bashkimit Europian (BE) regjistroi një suficit prej 75,6 miliardë euro në periudhën korrik-shtator të vitit 2020, njoftoi sot zyra e statistikave të BE-së.

Sipas Eurostatit, suficiti i llogarisë rrjedhëse të BE-së ishte 2,2 për qind e Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) në tremujorin e tretë të vitit 2020, ndërsa përqindja ishte 2,9 % për të njëjtën periudhë në vitin 2019.

Shifra ishte më e ulët, pasi regjistroi 87,6 miliardë euro suficit në tremujorin paraardhës dhe 100,3 miliardë euro në të njëjtin tremujor në vitin 2019.

Lidhur me nënkategoritë, Eurostat theksoi se suficiti i llogarisë së mallrave u rrit në 91,6 miliardë euro në periudhën korrik-shtator, nga 78,8 miliardë euro në tremujorin e tretë të vitit 2019, ndërsa suficiti i shërbimeve ishte 9,7 miliardë euro nga 32,6 miliardë euro.

Ndërkohë, llogaritë primare, sekondare dhe ato të kapitalit shënuan deficit prej 7,2 miliardë euro, 18,5 miliardë euro dhe 4,2 miliardë euro.

“Në tremujorin e tretë të vitit 2020, bazuar në të dhëna të rregulluara jo-sezonale, BE regjistroi suficit të llogarisë rrjedhëse të jashtme me Britaninë e Madhe (+ 54,6 miliardë euro), SHBA-në (+ 32,7 miliardë euro), Zvicrën (+ 11,3 miliardë euro), Kanadanë (+ 6,6 miliardë euro), Brazilin dhe Hong Kongun (të dyja me nga + 6,2 miliardë euro), Rusinë (+ 5,3 miliardë euro), Indinë dhe Japoninë (të dyja + 0,6 miliardë euro)”, sipas burimeve të Eurostat.

Gjithashtu, bëhet e ditur se deficitet u regjistruan me Kinën (- 29,2 miliardë euro) dhe qendrat financiare offshore (- 8 miliardë euro).

Pronat e investimeve të drejtpërdrejta të unionit u rritën në tremujorin e dytë me 45,5 miliardë euro, ndërsa detyrimet e investimeve të drejtpërdrejta u rritën me 16 miliardë euro.

“Si rezultat, BE ishte investitor i drejtpërdrejtë neto për pjesën tjetër të botës në tremujorin e tretë të vitit 2020 me 61,5 miliardë euro”, theksoi Eurostat./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.