2020 vit i zi për kinemanë franceze

PARIS, 12 janar /ATSH-AFP/ – Të ardhurat nga filmat francezë janë ulur gjithashtu jashtë vendit në 2020, një vit i jashtëzakonshëm i shënuar nga pandemia që sheh Rusinë të bëhet kampione e kinemasë franceze.

“Në total, filmat francezë kanë tërhequr 13,7 milionë spektatorë në kinematë e mbarë botës, në periudhat dhe rajonet ku ato kanë mundur të hapen pavarësisht koronavirusit”, njoftoi sot Unifrance, e ngarkuar për promovimin e artit të shtatë në eksport.

Kjo shifër është në rënie me rreth 70% në raport me një vit më parë. Të ardhurat janë ulur në të njëjtat përmasa, me 86,6 milionë euro.

Në mungesë të një suksesi të madh, vetëm dy filma francezë në vitin 2020 tejkaluan një milion shikues të huaj që nga dalja e tyre, nga shtatë një vit më parë. “Portreti i vajzës së re në zjarr” nga Celine Sciamma (1,47 milionë), dhe “Akuzoj” nga Roman Polanski (1,41 milionë).

Rusia ka zbritur nga froni Italinë për sa i përket pranimeve për filmat francezë me 1,46 milionë shikues, ndjekur nga Spanja, Italia, Gjermania dhe Holanda.

“Në vitin 2020, filmat francezë vazhduan të qarkullonin në kinematë ndërkombëtare ku shumë filma, veçanërisht filmat e Hollivudit, mungonin”, nënvizoi një nga drejtuesit e Unifrance, Gilles Renouard, duke prezantuar këto shifra.

“Kinemaja franceze e ka mbajtur nivelin e saj”, theksoi ai duke shtuar se 2021 nuk do të jetë i lehtë./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.