Sekuestrohen 540 mijë paketa cigare në Hanin e Hotit

TIRANË, 11 janar/ATSH/ Strukturat e Administratës Doganore në bashkëpunim me Policinë e Shtetit sekuestruan një sasi prej 540 mijë paketa cigaresh kontrabandë, në degën Doganore të Hanit të Hotit, Shkodër.

Pas një analize risku dhe dyshimeve të arsyeshme, mbi të dhënat e dokumentacionit shoqërues të një ngarkese me paketa cigare të mbërritura në degën doganore Hani i Hotit, Shkodër, nga Mali i Zi, strukturat doganore ushtruan kontroll në mjetin e tipit trajler me targa serbe, për ngarkesën e cigareve të markave të ndryshme.

Nga kontrolli i dokumentacionit rezultoi se e gjithë ngarkesa me paketa cigaresh ishte e pa pajisur me pullë fiskale të Republikës së Shqipërisë apo të ndonjë vendi tjetër.

Sipas përllogaritjeve nëse kjo sasi do të hidhej në treg, detyrimi doganor i munguar do të ishte 86.6 milionë lekë, ndërsa penaliteti 260 milionë lekë.

Trajleri së bashku me sasinë e cigareve u sekuestruan nga Administrata Doganore në bashkëpunim me sektorin e krimit ekonomik, pranë drejtorisë vendore të Policisë, dhe u referua si rast në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Shkodër, për veprën penale “kontrabandë me mallra që paguajnë akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës” të parashikuar nga neni 172 të Kodit Penal.

Gjithashtu nga strukturat e Policisë Shkodër u shpallën në kërkim administratori i shoqërisë “Plus International”, shtetasi me inicialet S.S, si dhe babai i tij, pasi këta shtetas nga verifikimi i sistemit TIMS rezultojnë jashtë terrorit të Republikës së Shqipërisë.

Strukturat Doganore në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë dhe drejtorinë e Policisë vendore, Shkodër, po kryejnë veprimet e mëtejshme hetimore. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.