Reshjet e dendura/ Koka: Asnjë rrugë e bllokuar, 1200 mjete të ARRSH-së në terren për çdo situatë

TIRANË, 11 janar /ATSH/ Nëndrejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Erion Koka u shpreh se, “në kushtet e motit të vështirë me reshje të dendura shiu, aktualisht nuk kemi asnjë aks rrugor të bllokuar, ndërsa 1200 mjete dhe ekipet e ARRSH janë në terren në gatishmëri maksimale për çdo situatë problemore që paraqitet në akset rrugore të vendit”.

Në një intervistë televizive, ai tha “zonat veriore malore të vendit kanë paraqitur rrëshqitje të dherave nga skarpatet duke sjellë vështirë në qarkullimin e mjeteve dhe bllokim të disa segmenteve rrugore”.

“Në çdo rast, që akset rrugore kanë paraqitur probleme, kontraktorët po ndërhyjnë me shpejtësi për të hapur rrugën dhe për të normalizuar qarkullimin”, tha Koka.

Sipas tij, janë 1200 mjete në terren, në të gjithë vendin në gatishmëri për të ndërhyrë për çdo rast që paraqitet nevoja, për të garantuar qarkullim pa probleme dhe të sigurt të automjeteve në të gjitha segmentet rrugore.

Ndërsa theksoi se, deri tani problem kanë qenë rrëshqitjet e dherave në disa akse rrugore.

Koka bëri të ditur se, “ARRSH ka marrë të gjitha masat paraprakisht, ndërsa informoi si rast të vështirë pastrimin dhe hapjen e rrugës Elbasan-Librazhd në zonën e Pishkashit”. e.xh/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.