Reshje lokalisht intensive/ IGJEUM: Prurjet e lumenjve ende të larta, por brenda kuotave të argjinaturave

TIRANË, 11 janar/ATSH/ Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit bëri të ditur sot se nga llogaritjet nivelet në lumenjtë Drin dhe Buna do të vazhdojnë të jenë të larta, por me probleme lokale të përmbytjeve.
Sipas IGJEUM, tërheqja e ujit në shtratin natyral të lumit Buna parashikohet të ndodhë në datën 13 janar.
Lumenjtë Mat dhe Shkumbin do të vazhdojnë të kenë prurje të larta, por brenda kuotave maksimale të argjinaturave. Lumenjtë e tjerë do kenë prurje të larta, por nuk pritet shtim i problemeve të përmbytjeve. Në të gjithë lumenjtë e mëdhenj, pritet ulje e ndjeshme e prurjeve në datën 13 janar 2021 dhe përgjatë javës në vazhdim, nuk parashikohet rrezik nga përmbytjet.
Intensiteti i lartë i reshjeve në veriperëndim të vendit mund të krijojë probleme lokale me përrenjtë dhe lumenjtë e vegjël, përmbytjet urbane dhe rrëshqitje të dherave kryesisht përgjatë ditës së sotme.
Në datën 12 janar dhe përgjatë javës, edhe pse priten reshje, nuk priten probleme nga përmbytjet vërshuese të përrenjve dhe lumenjve të vegjël.
IGJEUM thekson se sot pasdite dhe nesër priten reshje mesatare në qarqet Vlorë, Gjirokastër dhe Korçë, në këto qarqe reshjet do të arrijnë lokalisht deri intensive.
Në qarqet e tjerë priten reshje të dobëta dhe deri lokalisht mesatare në qarqet Tiranë, Elbasan, Fier dhe Dibër. Reshjet do të shoqërohen me shtrëngata në qarqet Vlorë, Gjirokastër dhe Korçë./k.s/j.p/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.