Moti i përkeqësuar/ Lika: OSHEE ka riparuar në kohë 84% të defekteve në furnizimin me energji

TIRANË, 11 janar /ATSH/ Administratori i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, Petraq Lika tha se “në kushtet e motit me reshje intensive kemi mirëmenaxhur furnizimin me energji elektrike të konsumatorëve dhe institucioneve”.

Në një prononcim për mediat Lika tha se” falë investimeve që janë ndërmarrë kemi arritur të riparojmë brenda një kohe të shkurtër defektet e shkaktuara nga moti i keq në linjat e energjisë elektrike”.

“Kemi menaxhuar në kohë furnizimin me energji të sektorëve jetikë siç janë spitalet ato të COVID dhe 6 spitalet rajoneve. Ndërsa hidrovorët kanë punuar normalisht”- tha Lika.

Sipas tij, situata e furnizimit me energji elektrike rezulton 84% më e përmirësuar se vitet e kaluara, në sajë të investime që janë bërë.

Lika theksoi se janë marrë masa për të garantuar siguri në furnizimin me energji të 37 mijë abonentëve dhe stakimet e energjisë kryehen vetëm në rastet e avarive.

Aktualisht infomoi ai, zona e Pukës është me epiqendrën më të madhe të akullzimit. Ndërkohë që ekipet e OSHEE janë në terren për të shkundur shtyllat nga akulli.

“Nëse në vitet e tjera kemi pasur risqe, këtë vit u menaxhua shumë mirë. Po zbatojmë një regjim të punës maksimale. Pika më e ndjeshme është rrjeti në zonat rurale të thella, ku rrjeti është edhe më i ekspozuar ndaj fenomeve natyrore. OSSH është në shërbim 24 orë që sistemi të jetë në gjendje pune”, tha Lika. e.xh/j.p/r.e/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.