Moti i keq/ Braçe reagon ndaj deklaratave të opozitës : Nuk ka më të poshtër se politika e hijenave

TIRANË, 11 janar /ATSH/ – Zv/kryeminsitri Erion Braçe reagoi sot ndaj deklaratave të opozitës në lidhje me reshjet e ditëve të fundit, duke hedhur poshtë akuzat për mungesë vëmendjeje, mungesë menaxhimi dhe papërgjegjshmëri.

“Nuk ka më të poshtër se politika e hijenave! Dje, por edhe sot, politikanë që në të ri të tyre e kanë mbajtur ujin, lumin me dorë, shkojnë në parcela me prezencë uji ose parcela ku uji ishte e është larguar dhe, akuzojnë për mungesë vëmendjeje, mungesë menaxhimi, papërgjegjshmëri!”, u shpreh Braçe.

“Dje në bregun e Matit në bashkinë Laç, një politikane nuk qante hallin e bujkut, por gënjente atë dhe këdo, akuzonte e sulmonte për qëllimet e saj politike. Pa më të voglin diskutim që çdo dëm në aktivitetin e gjithkujt, posaçërisht bujk, është i dhimbshëm për të, familjen e tij, ekonominë gjithashtu. Por gjithkujt duhet t’i thuhet e vërteta! Urdhëroni, vreshtat që dje u treguan të përmbytura nga politikania për shkak të mungesës së menaxhimit, papërgjegjshmërise etj etj. Janë mu në tokë të lumit, në breg të tij!”, tha ai.

“Shiheni videon e bërë sot! Ajo tokë me ligj e ç’të duash është tokë e lumit! Kudo në botë lumi nuk pyet për atë tokë, as Kadastrën e as atë që është vendosur aty; E zë kur të dojë, e merr përpara, e lëshon dhe e zë sërish ditën që e di ai! “, theksoi Braçe.

“Askush nuk e mbron dot atë tokë, askush! Kanë tentuar shumë t’ia marrin lumit, madje-madje, një parti e poshtër, toka të tilla i ka dhënë edhe me kontrata, por vjen dita që lumi merr tokën e tij!”, shtoi Braçe.

“E kuptoj dhimbjen e atij bujku për dëmin që mund t’i jetë shkaktuar, por duhet ta dijë këtë të vërtetë, aty në bregun e Matit dhe cilido kudo nëpër Shqipëri; Toka nga bregu i lumit deri në argjinaturë, është tokë e lumit!”, u shpreh Braçe.

“Kush vendoset aty, zgjedh të marrë mbi vete rrezikun e ardhjes së lumit në tokë të tij! E di që është tokë pjellore për shkak të aluvjoneve, por ka edhe pasojën e frikshme të rikthimit të lumit aty! Pra nuk ka lidhje hiç me mosvënien e veshit ndaj IGJEUM, mosmenaxhimin e papërgjegjshmërinë!”, theksoi ai.

“Ka lidhje me ligjet më të vjetra në botë, ligjet e natyrës e më asnjë shpikje tjetër për qëllime të politikës së ditës me fenomenet natyrore. E di që ka politikanë që e bëjnë zap natyrën, por është e provuar që ja dalin kur duan të vjedhin ndonjë gjë prej pasurive të saj!”, përfundoi Braçe reagimin e tij.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.