FOTO/ Marrëveshje bashkëpunimi mes Akademisë së Shkencave dhe Universitetit të Mjekësisë, kornizë e nevojshme ligjore ndërveprimi institucional dhe nxitje për projekte dhe pjesëmarrje të përbashkëta

TIRANË, 11 janar /ATSH/ Akademia e Shkencave e Shqipërisë (ASHSH), e përfaqësuar nga kryetari akad. Skënder Gjinushi, ka lidhur sot marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Mjekësisë së Tiranës (UMT).

Pas nënshkrimit të marrëveshjes në zyrën e kryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, rektori prof. dr. Arben Gjata u shpreh se ajo i hap rrugë bashkëpunimit në shumë fusha të dijes dhe shkencës.

“Marrëveshja e vënë në baza ligjore i jep përparësi lidhjes së shkencave akademike me shkencat mjekësore si për programet universitare, ashtu edhe në funksion të formimit të profesionistëve të rinj në këto fusha, ku secila prej palëve propozon rrugët më të mira e më të suksesshme përmes projekteve dhe veprimtarive të përbashkëta akademike e universitare”, tha rektori i UMT-së, prof. dr. Arben Gjata.

Më tej, prof.dr. Arben Gjata u shpreh ky bashkëpunim ka nisur ndërkohë dhe është finalizuar me realizimin e kërkimeve për COVID-19 të realizuara në Shërbimin e Imunologjisë pranë QSUT-së, që drejtohet nga akad. Genc Sulçebe.

Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Skënder Gjinushi e cilësoi të rëndësishëm aktin e lidhjes së kësaj marrëveshjeje, e cila ka për qëllim rregullimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe strukturave kërkimore, të mbështetur tashmë me ligje dhe me akte nënligjore për projekte dhe veprimtari të përbashkëta akademike e universitare.

“Universiteti i Mjekësisë është më i rëndësishmi në vend, që mbart impulsin kryesor të aktivitetit të kërkimit shkencor që lidhet me shëndetin e popullsisë, faktorët e ndotjes së mjedisit e shumë kërkime të tjera të rëndësishme për jetën dhe shëndetin e popullsisë së vendit”, tha akad. Skënder Gjinushi, ndërsa theksoi se falë kësaj marrëveshjeje, ASHSH-ja luan një rol të rëndësishëm në këtë bashkëpunim për t’u integruar sipas kodeve europiane, ku do të ketë shkëmbime të veprimtarive shkencore në ekspedita dhe në kërkime shkencore.

Në aktin e marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASHSH) dhe Universitetit të Mjekësisë së Tiranës (UMT), vihet theksi, se: njësitë bazë dhe senati akademik i UMT-së marrin pjesë në procesin e promovimit të kandidatëve për anëtarë të Asamblesë së ASHSH-së, siç parashikohet në ligjin dhe në statutin e saj.

Gjithashtu, përfaqësues të trupës akademike të UMT-së do të përfshihen sipas fushave në komisionet e përhershme që funksionojnë pranë ASHSH-së dhe garantohet përfshirja e ekspertëve të UMT-së në njësitë e reja të kërkimit shkencor, ngritur pranë saj, në këtë proces bashkëpunimi.

Ndërsa është bërë traditë që ASHSH-ja u dhuron periodikisht koleksione të botimeve të saj bibliotekave të UMT-së, sipas deklaratës së nënshkruar, palët do t’i sigurojnë njëra-tjetrës shkëmbimin e ndërsjellë dhe të pakushtëzuar të informacionit shkencor, të periodikëve që botojnë, të studimeve, monografive dhe më gjerë. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.