Pikë historikisht kritike në mot me reshje të larta/ Dëshmia e banorëve të Gjadrit: Shpëtuam nga përmbytja

 

TIRANË, 10 janar/ATSH/ Gjadri i Lezhës, është një prej pikave historikisht kritike në mot reshjesh të larta, por sot falë investimeve të kryera nga qeveria dhe pastrimit sistematik të më shumë se 40 kilometra të kanaleve, zona nuk është përmbytur.

Kryeministri Edi Rama e vizitoi sot Gjadrin në bashkinë e Lezhës, ndërsa u shpreh se vetëm pak vite më parë në këtë lagje nuk mund të shkelje nga uji.

“Një prej pikave historikisht kritike në mot reshjesh të larta, ku sot pamjet dhe banorët flasin vetë më mirë se sa çdo koment tjetër”, tha Rama. Sipas kryeministrit, zona e Gjadrit njihet si një zonë ujëmbledhëse.

“Por sot situata është ndryshe dhe kjo si rezultat i punës së bërë nga ministria e Bujqësisë dhe bashkia e Lezhës për të pastruar të gjithë infrastrukturën e kullimit, që vetëm para pak vitesh ishte inekzistente, komplet e bllokuar, e taposur me plehra të akumuluara ndër vite dhe s’kishte këtu asgjë tjetër, vetem ujit deri në gjysmën e banesave”, tha Rama.

Rama tha se duhet theksuar se në këtë zonë ka qenë e ndaluar ndërtimi, pasi edhe në kohën e komunizmit në këtë zonë uji mblidhej.

Sipas kryeministrit, janë pastruar mbi 40 km kanale dhe sot jemi në këtë situatë, ku nuk janë dëmtuar banesat.

“Ajo që është bërë në këto vite, nuk është bërë në 20 e ca kusur vite. Përtej shqetësimit që nuk diskutohet, që u krijon atyre familjeve që janë prekur, që janë numër i vogël, ky është testi më i shkëlqyer për punën që është bërë. Flasim me statistika, kemi reshje që janë dyfishi i 2010 dhe ja rezultati”, tha Rama.

Një nga banorët e kësaj zone vlerësoi investimet e kryera nga qeveria. “Pavarësisht se jam demokrat, unë jam me atë që punon. Ai që punon e meriton edhe votën. Ju faleminderit që shpëtuat zonën e Gjadrit nga përmbytja”, u shpreh banori.

Rama iu përgjigj se formula “unë jam me atë që punon” është e demokratëve të zgjuar, të cilët nuk mund të bëjnë rolin e budallait dhe të mos shikojnë investimet e kryera. “Falë punës që është bërë, ju s;keni as humbje krerësh të bagëtive”, tha Rama.

Ndërsa ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi tha se falë investimeve dhe pastrimeve që iu janë bërë kanaleve kulluese edhe pse ka patur reshje të shumta uji është tërhequr në kohë rekord.

Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu theksoi se përveç punës për pastrimin e kanaleve për të cilën nuk e kemi ndalur punën asnjë ditë, në situatën e emergjencës së krijuar banorëve më në nevojë u kemi ofruar edhe pako ushqimore. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.