Moti i keq/ KESH: Situata mbetet në kontroll, po vijon prodhimi i energjisë me kapacitet të plotë

TIRANË, 10 janar/ATSH/ Korporata Elektroenergjitike informoi sot se po vijon orë pas ore të monitorojë nivelin e ujrave si dhe prurjet në kaskadën e lumit Drin.

Sipas KESH, situata mbetet në kontroll, ndërsa po vijon prodhimi me kapacitet të plotë.

“Prodhimi vijon të jetë me kapacitet të plotë në HEC-n e Komanit dhe HEC-n e Vau të Dejës. Prurjet natyrore totale në kaskadë për momentin janë 1920 m3/s”, bën të ditur KESH.

Ndërkohë, shkarkimet që po kryhen nga vetëm njëra portë e HEC-t të Vaut të Dejës arrijnë në 700m3/s ndërsa në HEC-n e Komanit 200 m3/s.

“Kjo sasi shkarkimesh nuk ka impakt në nivelin e ujrave në kanalin e shkarkimit si dhe në zonat e nën Shkodrës”, thekon KESH.

Nëveli i liqenit në HEC-n e Fierzës aktualisht është 282.71 m, në HEC-n e Komanit, 172.82m dhe HEC-n e Vaut të Dejës 75.02 m. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.