Moti i keq/ Biberaj për ATSH-në: Në zonat malore trashësia e borës 1 m, po garantojmë furnizimin me ujë dhe energji

TIRANË, 10 janar/ATSH/ Në bashkinë e Tropojës po vijojnë reshjet e dëborës edhe gjatë ditës së sotme, ndërsa në zonat malore si Valbona, trashësia ka arritur deri në 1metër.

Kryetari i Bashkisë së Tropojës, Rexh Biberaj tha se Shtabi i Emergjencës Civile është në terren për të ndjekur situatën nga afër dhe për të bërë të mundur ndërhyrjen në kohë reale ku do ku paraqiten problem, pasi kjo bashki ka zona të thella malore dhe reshjet e borës janë të mëdha, ku konkretisht në Valbonë kanë arritur në 1 m.

Biberaj theksoi se po mundësohet furnizimi me ujë dhe drita.

“Në qytetin e Bajram Currit ka furnizim normal me ujë dhe drita ndërsa në zonat e thella po bëhet e mudnur ndërhyrja rast pas rasti ku paraqiten probleme”, deklaroi ai.
Po ashtu Biberaj theksoi se po punohet me kompanitë kontraktore për mirëmbajtjen e rrugëve dhe akset rrugore kryesore janë të kalueshme.

Ndërkohë, tha ai, për shkak të reshjeve të shumta janë dëmtuar disa ura, si ajo që lidh njësinë administrative Llugaj me atë të Planit dhe Degës, apo ajo që lidh Luginën e Zi me Tropojën, si dhe në zonat e Nikaj e Mërturit në Lekbibaj.

“Ne jemi duke hartuar projektet për të nisur edhe ndërhyrjet, ndërsa kemi marrë mbështetjen e plotë të qeverisë”, deklaroi Biberaj. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.