Investimi prej 2 miliardë euro nga kompania “EMAAR” për transformimin e portit të Durrësit/ Alabbar: Do të krijojmë një nga mjediset më të bukura në Adriatik edhe për shumë e shumë vite të ardhshme

TIRANË, 10 janar/ATSH/ Investimi prej 2 miliardë eurosh nga kompania “EMAAR” për transformimin e portit të Durrësit në port turistik do të krijojë një nga mjediset më të bukura në Adriatik për shumë e shumë vite të ardhshme dhe do të ketë një impakt të madh për rritjen e cilësisë së jetesës.

Projekti i cili do të kryhet tërësisht nga investitori dhe zero lek nga buxheti i shtetit parashikon edhe një mori investimesh transformuese, facilitetet, ndërtimet, infrastrukturën, zhvillimin e plazhit përfshi portin e marinës natyrisht, si dhe përgjatë të gjithë perimetrit përpara portit. Marina e re e Durresit parashikohet te jete me e madhja ne Adriatik.

Një delegacion nga Shqipëria ndodhet në Emiratet e Bashkuara ku ka zhvilluar diskutime me përfaqësues të kompanise “EMAAR” për ndërtimin e marinës së Durrësit.

Biznesmeni dhe sipërmarrësi global i Emirateve, Mohamed Alabbar, i njohur si themeluesi i “Emaar Properties” e zhvilluesi i Burj Khalifa, Dubai Marina dhe Dubai Mall, deklaroi se investimi do të bëjë që të ngrihet vlera në Durrës dhe në Shqipëri. Ai shpreh besimin se ky investim do të frymëzojë investitorë të tjerë për të ardhur në Shqipëri.

“T’i shtyjmë të vijnë të investojnë dhe krijojnë vende pune dhe një jetë të re, teksa ecim përpara”, shprehet ai.

Alabbar, shprehet se diskutimet rreth kësaj marrëveshjeje me palën shqiptare po ecin mirë.
“Po përparojmë me diskutimet tona, me marrëveshjen nën marrëveshjen ndërshtetërore që është firmosur nga Shqipëria dhe Emiratet e Bashkuara Arabe dhe kjo na jep një kuadër të mirë për të ecur më shpejt në marrëveshjen tonë dhe në investimin tonë në Durrës dhe në pjesë të tjera të Shqipërisë, pra gjërat po shkojnë mirë”, thotë ai.

Shifrat fillestare, shprehet ai, tregojnë afërsisht 2 miliardë euro investim në Portin e Durrësit, sepse është një kantier shumë i madh.

Alabbar shpreh po ashtu besimin se puna në portin e Durrësit do të përparojë shpejt.
“Gjithmonë jap si shembull që kemi një kantier shumë më të madh në Egjipt për shembull, 6 milion metër katror, me një port shumë të madh që e hapëm këtë vit, ose Porti i Dubait, rreth 100 000 njerëz, Porti i Dubait u ndërtua në 12 vite, ai i Egjiptit mori më pak kohë, 10 vite. Por e gjitha varet në të vërtetë nga kushtet e tregut dhe nëse tregu përparon shpejt, ne përparojmë shumë shpejt me projektin, por në Durrës jam shumë optimist që do përparojmë shpejt”, deklaroi ai.

Ai tregon edhe se si e sheh ai të bërit biznes.

“Ne udhëtojmë në tërë botën dhe shohim qytete të mrekullueshme, nga SHBA në Europë dhe mendoj se njerëzit tanë duhet të trajtohen njësoj, prandaj kur fillova këtë ishte një risk shumë i madh për mua. Megjithatë mendoj se kemi edhe një lloj detyre, përtej të bërit biznes, pasi të bësh gjëra të tilla është një rrezik i madh. Duhet të kesh pasion dhe dashuri për t’u siguruar që do ta bësh këtë. Dhe në të vërtetë nuk është vetëm çështje fitimi, nëse shkon vetëm pas fitimit nuk do kesh sukses. Unë dua edhe që shoqëria jonë të jetojë në një sistem dhe në një mjedis për të cilin janë krenarë, të mund të vijnë rrotull e të thonë që vendi i tyre është pjesë e botës së qytetëruar. Është ndjesi shumë e mirë. Për ne, jeta e njeriut është kryesore”, shprehet ai.

Pra në Durrës, thotë ai, besoj vërtet se mund të krijojmë një nga mjediset më të bukura në Adriatik për shumë e shumë vite të ardhshme dhe të ngrihet cilësia e jetesës në një nivel të arsyeshëm. /j.p/

.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.