Buxheti 2021/ Kryebashkiaku Leli për ATSH-në: Konsolidim i projektit të madh të Vlorës së të ardhmes

VLORË, 9 janar/ATSH-Harilla Koçi/ Investimet zënë një nga segmentet më të spikatura në buxhetin e Bashkisë Vlorë për vitin 2021, që u miratua në ditët e fundit të 2020-ës, si një mënyrë për t’i paraprirë ritmikës së punës së administratës lokale, në funksion të përmushjes së objektivave.

Ky dokument themelor, më i rëndësishmi në profilin vjetor të një njësie vendore, ishte finalizim i punës përgatitore disamujore, në kushte edhe situata të jashtëzakonshme e të paprecedenta, rrjedhojë e pandemisë së shkaktuar nga Covid-19.

Për kreun e bashkisë, Dritan Leli, projektbuxheti, tashmë buxhet, është një produkt diskutimesh dhe analizash, një vizion i formalizuar dhe konkretizuar, një dokument që vijon të konsolidojë projektin e madh të Vlorës së të ardhmes.

Pavarësisht kushteve, vështirësive e pengesave të shumta të krijuara dhe të shkaktuara nga pasojat e pandemisë, u arrit në një optimum zgjidhjesh dhe parashikimesh, të cilat garantojnë parametra normalë dhe dinamikë të zhvillimit, duke alternuar faktorët lokalë me ata qendrorë, investimet e Bashkisë me ato të Qeverisë dhe ato të mbështëtura nga donatorët.

Hap pas hapi e vlerësim pas vlerësimi, dokumenti referues i një viti zhvillimi e transformues, tashmë është në dinamikën e vet.

“Në ndryshim nga vitet e tjera, kur ne kemi diskutuar me komunitetin dhe kur bashkia Vlorë ka qenë një model në këtë drejtim, në përgatitjen e projektbuxhetit të vitit 2021, ne gjetëm mënyra të tjera komunikimi me qytetarët, me deputetët që kanë qenë pranë qytetarëve, stafit të bashkisë dhe kryetarit të bashkisë, për të bërë zgjidhjet më të mira me investime dhe për t’i orientuar aty ku komuniteti ka më shumë nevojë”, thotë për ATSH-në, kryebashkiaku, Dritan Leli.

Sipas tij, me miratimin e buxhetit, u hap rruga për të vazhduar punën me të njëjtin intensitet, duke patur pjesë të vëmendjes edhe zonat rurale.

“Është një buxhet ambicioz, që na jep mundësi për të vijuar në punën tonë për transformimin e qytetit, për të qenë pranë qytetarëve në të gjitha problermatikat që ata kanë”, vijon më tej ai.

Për Lelin, asnjëherë një buxhet nuk është i mjaftueshëm për të zgjidhur të gjitha shqetësimet. Por, ajo që është bërë këtë rradhë, janë zgjidhjet optimale që janë arritur, duke paraqitur në buxhet kërkesat që kanë mbërritur nga komuniteti.

Për këtë, gjatë një periudhe disamujore, janë vlerësuar të gjitha mundësitë, në përputhje dhe përshtatje me fushat dhe zonat ku nevojat kanë qenë më evidente. Ato janë rakorduar me parametrat e zgjidhjeve afatmesme dhe afatgjata.

Vlora, ndryshimi, transformimi dhe modernizimi i saj, është pjesë e një vizioni, që inkuadrohet në projektin afatgjatë të të ardhmes, është pjesë e asaj që, Leli e konsideron moto të punës së tij në krye të Bashkisë,  në formulimin “Vlora, qyteti që projekton të ardhmen”, udhërrëfyese e tij qysh në startin e punës si kryebashkiak.

Ky projekt, plotësohet çdo ditë, javë e muaj, si një produkt dhe alternim aktorësh e faktorësh lokalë, qendrorë e më gjerë. Dhe ku, kontributi lokal, ka vendin dhe rolin e pazëvendësueshëm. Prandaj dhe investimet nga buxheti i pavarur i Bashkisë, konsiderohen si gjaku që rrjedh në arteriet e nevojave të qytetarëve, duke përfshirë edhe kërkesat më immediate të tyre. Prandaj dhe projektbuxheti i 2021-shit, u konsiderua si vazhdë e garantimit të dinamikës normale të zhvillimit, pavarësisht pasojave të pandemisë.

Në të, parashikohet një paketë investimesh me vlerë 2 miliardë lekë, ku është përfshirë gjithë territori, nga qendra në zonat rurale, nga lagjet deri në fshatrat e periferisë, ku gjen veten edhe qyteti edhe Novosela edhe Kanina, Rradhima dhe Dukati, me projekte respektive. Dhe ajo që është po aq e rëndësishme, gjithçka është rakorduar edhe me investimet e mbështetura nga Qeveria dhe donatorët.

Këtu, veçohet një investim prej 7 milionë eurosh, që ka mbërritur pak ditë më parë në Bashki, për zgjidhjen e problemit të furnizimit me ujë të pijshëm për zonën e Novoselës dhe fshatrat përreth, apo projekti i Landfillit, që përfundon brenda këtij viti dhe që do të rikonceptojë skemën e pastrimit dhe të trajtimit të mbetjeve urbane.

Krahas këtyre, një investim tjetër po aq i rëndësishëm, që realizohet me financimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, është projekti i transformimit të lagjes “24 Maji”(“Çole”), me një vlerë prej 7 milionë euro dhe që nisi pak ditë më parë.

Ndërkohë, në vijim të transformimit të vijës bregdetare të qytetit, përfshihen projekti i Lungomares, nga vendi ku mbaron “Lungomare 2”, deri në Orikum. Ky projekt, me një shtrirje lineare prej 25 kilometrash, do ta transformojë tërësisht këtë zonë, duke e shndërruar atë në një hapësirë turistike të një standardi të lartë, në një destinacion të rëndësishëm për të gjithë shqiptarët./k.s/j.p/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.