Basha nga Shkodra: Situata me përmbytjet mund të jetë më e mirëmenaxhuar

TIRANË, 10 janar/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ishte në Shkodër gjatë ditës së sotme, për të parë nga afër situatën e përmbytjeve në këtë rajon.

Së bashku me kryetaren e bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, Basha është ndalur në zonat më të prekura ku ka takuar edhe banorët e dëmtuar nga vërshimi i ujit si pasojë e reshjeve të mëdha.

Basha u njoh me situatën nga ana e kryetares së bashkisë së Shkodrës, ndërkohë që vetë banorët thanë se janë në vështirësi dhe kanë pësuar dëme të mëdha.

“Ndodhem këtu për të qenë pranë qytetarëve të Shkodrës të cilët po përballen me një situatë të rëndë dhe me një përkeqësim nga ora në orë. Një situatë e rëndë me përmbytje po dominon hapësirën perëndimore në Lezhë, Fush-Krujë, Durrës, Fier, Vlorë. Eshtë një situatë e cila i mbivendoset edhe fatkeqësive të tjera siç është pandemia. Shqipëria po vuan një situatë krizash siç është pandemia, siç është tani ajo e përmbytjeve, e cila po na kushtojnë edhe dëme të mëdha ekonomike dhe jetë njerëzish. Nuk është koha për politikë, por nuk mund të mohoet që gjendja mund të jetë më e mirëmenaxhuar”, tha Basha.

Përbri kësaj, tha ai, duhet të jetë edhe prania reale e atyre që ndihmojnë dhe nuk vijnë thjeshtë dhe vetëm për të vizituar apo për të dhënë mesazhe.

“Kjo është detyra e shtetit. Duhen marrë masa konkrete dhe masa urgjente. Duhet të kemi transparencë për atë që po ndodh. Duhet dislokimi i të gjitha resurseve shtetërore”, tha Basha. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.