Reshjet në Durrës/ Kryebashkiakja Sako: Shtabi i Emergjencave 24 orë në shërbim

TIRANË, 9 janar/ATSH- A. Fortuzi/- “Shtabi i Emergjencave janë dhe do të vazhdojnë të jenë 24 orë në shërbim të qytetarëve në përballimin e situatës së krijuar nga reshjet e shiut, gjatë ditëve të fundit në vendin tonë”.

Kështu deklaroi kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako gjatë inspektimit sot ku pa nga afër situatën në Sukth dhe Katund të Ri.

Kryebashkiakja Sako, gjatë inspektimeve të kryera, ka bashkëbiseduar me banorët në lidhje me situatën. “Të gjithë banorët e zonave të rrezikuara janë njoftuar se në rast përmbytjeje do të evakuohen dhe do të vendosen në kovalishencën e Ministrisë së Rendit. Janë marrë të gjitha masat për të përballuar këtë gjendje”, tha Sako.

Bashkia e Durrësit dhe të gjitha ndërmarrjet e saj në varësi si dhe i gjithë Shtabi i Emergjencave do të vazhdojnë të jenë në terren 24 orë në shërbim të qytetarëve si dhe në gatishmëri të plotë për të përballuar situatat emergjente por edhe për t’ju përgjigjur menjëherë çdo banori të bashkisë Durrës që mund të ketë probleme nga kjo situatë. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.