Moti i keq/ Policia apel përdoruesve të rrugës: Zbatoni rregullat e qarkullimit rrugor

TIRANË, 9 janar/ATSH- A. Fortuzi/- Policia e Shtetit i bënë apel përdoruesve të rrugës të zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor. Kushtet atmosferike jo të mira që kanë prekur vendin vështirësojnë jetën edhe të drejtuesve të mjeteve motorike, si dhe përdoruesve të rrugës në tërësi, prandaj zbatimin i rregullave të qarkullimit rrugor është thelbësor.

Policia e Shtetit njofton se patrullat e Policisë Rrugore janë në të gjitha akset rrugore për monitoruar situatën dhe për të këshilluar drejtuesit e mjeteve në zbatimin e rregullave.

“Mjegulla, shiu, bora dhe akulli janë ndër makthet kryesore të drejtuesve të mjeteve. Zbatimi i rregullave të qarkullimit rrugor rrit sigurinë e jetës në rrugë. Në këtë kuadër, shërbimet e Policisë Rrugore në të gjithë vendin kanë kaluar në gatishmëri dhe janë prezente në të gjitha rrugët urbane, interurbane dhe akset kryesore rurale që lidhin qendrat administrative me qendrat e bashkive”,- njofton Policia.

“Krahas shërbimeve të Policisë Rrugore në të gjithë territorin janë angazhuar, për t’iu ardhur në ndihmë përdoruesve të rrugës, edhe Patrullat e Përgjithshme dhe forcat “Shqiponja”. Në vijim të njoftimeve me udhëzimet përkatëse për situatën e krijuar si pasojë e motit të keq dhe apelit të bërë nga Policia e Shtetit, për rritjen e vëmendjes gjatë drejtimit të mjetit në rrugët nacionale dhe rurale, apelojmë edhe njëherë për të treguar kujdes maksimal në rast të prezencës së ujit në rrugë apo pamjes së kufizuar për shkak të mjegullës”,- vijon njoftimi.

“Drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve të tregojnë kujdes maksimal, pasi në disa akse rrugore urbane dhe rurale ka problematika për shkak të motit të keq dhe për këtë duhet të jenë të përqendruar gjatë qarkullimit me mjet dhe të ndjekin e zbatojnë udhëzimet e autoriteteve shtetërore dhe sinjalistikën kufizuese. Mos qarkulloni me shpejtësi, mos përdorni celularin gjatë drejtimit të mjetit, vendosni rripin e sigurimit, mos kryeni parakalime të gabuara, mos drejtoni mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur”,- bënë thirrje Policia e Shtetit.

“Drejtuesit e motomjeteve të vendosin kaskat mbrojtëse, gjatë qarkullimit në rrugë të mos kryejnë lëvizje nga njëri krah i korsisë në krahun tjetër për të fituar kohë, pasi bëhen burim aksidenti, ndërsa biçiklistët të ndriçojnë me sinjale dalluese. Telefononi në numrin 112 ose dërgoni imazhe në Komisariatin Dixhital në rast nevoje apo për të denoncuar çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”, -përfundon Policia thirrjen e saj.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.