FOTO/ Ministria e Brendshme: Strukturat në terren kanë ndjekur gjatë natës situatën në pikat kritike

TIRANË, 9 janar /ATSH – I. Vata/- Ministria e Brendshme deklaron sot se për shkak të reshjeve të dendura dy ditët e fundit, të gjitha strukturat në qarqet e vendit kanë ndjekur gjatë natës situatën në pikat kritike në terren.

“Komisionet e Emergjencave në Prefekturat më të prekura nga moti i vështirë janë mbledhur sërish në orët e para të mëngjesit në monitorim të situatës. Strukturat në terren kanë ndjekur gjatë natës situatën në pikat kritike”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme.

Reshjet e dendura të shiut kanë sjellë probleme në të gjithë vendin, në shkarje dheu, bllokim rrugësh dhe përmbytje në zonat e Lezhës, Kurbinit dhe Vlorës, ndërsa në zonat malore janë shfaqur probleme me rrugët rurale, por situata është në kontroll dhe po monitorohen nga strukturat përkatëse në çdo qark.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.