Mbarëvajtja e zgjedhjeve/ Meta dekreton 5 ligjet e miratuara në kuadër të marrëveshjes së 5 qershorit

TIRANË, 8 janar/ATSH/ Presidenti Ilir Meta dekretoi sot me shpallje, pesë ligje të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë, në datën 17 dhjetor 2020, që ishin evidentuar si të nevojshme për t’u realizuar mes forcave politike, në dakordësinë e arritur me marrëveshjen e 5 qershorit 2020, dhe që lidhen me mbarëvajtjen e proceseve zgjedhore.

Konkretisht, Presidenti Meta, dekretoi me shpallje: disa shtesa dhe ndryshime në “Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar; një shtesë dhe disa ndryshime në ligjin”‘Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë’, të ndryshuar”; disa shtesa në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë’”; një shtesë në ligjin ‘Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”; disa shtesa në ligjin ‘Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve’”.

Me dekretimin dhe hyrjen në fuqi të këtyre ligjeve, Meta kërkon nga organet e caktuara me ligj, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK), Prokuroria e Përgjithshme, ILDKPKI dhe çdo organ tjetër, që ka kompetenca ligjore sipas këtyre ndryshimeve, të marrin të gjitha masat e nevojshme dhe të rrisin bashkëpunimin ndërmjet tyre, me qëllim hartimin akteve nënligjore të nevojshme dhe implementimin objektiv të këtyre ndryshimeve.

Presidenti thekson se çdo fenomen negativ, që vendos në rrezik apo cenon sadopak lirinë e votës, apo synon deformimin e vullnetit të sovranit, duhet të ndëshkohet rreptësisht, në funksion të ruajtjes së legjitimitetit të procesit zgjedhor, deri në certifikimin përfundimtar të rezultateve./m.m/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.