LOS ANXHELES – Racionim i kujdesit shëndetësor, COVID-19 gjymton spitalet

LOS ANXHELES, 8 janar /ATSH-DPA/ – Të përfshirë nga një mbingarkesë pacientësh COVID-19 përtej limiteve, katër spitalet publike të Los Anxhelosit po përgatiten të ndërmarrin hapin e jashtëzakonshëm të racionimit të kujdesit.

Ata do tw fusin në punë oficerët e triazhit, që do të vendosin se cilët pacientë mund të përfitojnë nga trajtimi i vazhdueshëm mjekësor dhe cilët nuk mund të rikuperohen dhe duhet të lihen të vdesin.

“Ka të ngjarë të arrijmë një pikë kur thjesht nuk do të kemi personel të mjaftueshëm ose furnizime kritike për t’u kujdesur për të gjithë pacientët tanë në mënyrën që do ta bënim normalisht”, tha kreu i spitaleve publike.

Megjithatë, zyrtarët e lartë shëndetësorë të qarkut nuk kanë deklaruar ende një zhvendosje në nivelin e krizës së kujdesit shëndetësor, që do të aktivizonte sistemin e racionimit të tij.

Përcaktimi i krizës shëndetësore do të fuqizonte oficerët e triazhit, zakonisht mjekë të kujdesit kritik dhe dhomave të urgjencës, për të vendosur se cilët pacientë në spitalet e qarkut do të kenë akses në burime të tilla si ventilatorët, terapistët e frymëmarrjes dhe infermieret e kujdesit kritik, kur këto të bëhen shumë të pakta për t’iu siguruar çdo pacienti.

Spitalet jashtë sistemit të qarkut do të duhet të vendosin vetë nëse do të përdorin masa të ngjashme urgjence, megjithëse zyrtarët e shtetit u thanë atyre javën e kaluar se duhet të kishin gati planet e triazhit./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.