Ruçi uron udhëheqësit e rinj të Kongresit të SHBA: Shqipëria, krenare dhe e përkushtuar për partneritetin strategjik

TIRANË, 7 janar/ATSH/ Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, u ka dërguar sot letra urimi udhëheqësve të rinj të zgjedhur të Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kreu i Kuvendit i dërgoi letra urimi Senatorit  Mitch McConnell, Kryetar i Grupit Republikan të Senatit; Senatorit James E. Risch, Kryetar i Komitetit për Marrëdhëniet me Jashtë i Senatit; Senatorit Charles E. Schumer, Kryetar i Grupit Demokrat të Senatit; Senatorit Robert Menendez, Kryetar i Grupit Demokrat në Komitetin për Çështjet e Jashtme të Senatit; Përfaqësuesit Gregory W. Meeks, Kryetar i Komitetit për Çështjet e Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve; Përfaqësuesit Steny Hoyer, Kryetar i Grupit Demokrat në Dhomën e Përfaqësuesve; Përfaqësuesit Kevin McCarthy, Kryetar i Grupit Republikan në Dhomën e Përfaqësuesve; Përfaqësues Michael McCaul, Kryetar i Grupit Republikan në Komitetin për Çështjet e Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve.

Duke i uruar për zgjedhjen apo rizgjedhjen në detyrat e larta në Senat dhe Dhomën e Përfaqesuesve, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, nënvizon se “Shqipëria është krenare dhe e përkushtuar për partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një Amerikë më e fortë është garanci për një botë më të mirë, më të sigurt dhe më të drejtë”.

Kryetari Ruçi shprehu bindjen se nën lidershipin e udhëheqësve të rinj “Kongresi i Shteteve të Bashkuara do të vazhdojë të kontribojë në mbështetje të bashkëpunimit dypalësh midis Shqipërisë dhe SHBA, zhvillimit dhe integrimit europian të Shqipërisë si edhe dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, i cili do të mundësojë njohjen e ndërsjelltë mes dy vendeve si edhe anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe organizatat e tjera ndërkombëtare”.

/k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.