Rama pritet me ceremoni zyrtare, nis takimin me Presidentin Erdogan

 

TIRANË, 6 janar/ATSH/ Kryeministri Edi Rama u prit sot me ceremoni zyrtare në Ankara, Turqi, nga Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Pas ekzekutimit të Himnit të Shqipërisë dhe Turqisë Kryeministri Rama dhe Presidenti Erdogan përshëndetën anëtarët e kabinetit qeveritar të dy vendeve.

Më pas Rama dhe Erdogan vijuan takimin e tyre në ambientet e Presidencës turke.

Kryeministri Edi Rama mbërriti paraditen e sotme në Ankara, Turqi, me ftesë të Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Kjo vizitë, sipas Kryeministrit Rama, hap një kapitull të ri bashkëpunimi mes dy qeverive. Gjatë kësaj vizite do nënshkruhen një sërë marrëveshjesh me rëndësi në kuadrin e partneritetit  strategjik mes Shqipërisë dhe Turqisë.

Në këtë vizitë Kryeministri Rama shoqërohet nga disa prej ministrave të kabinetit qeveritar.

/k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.