Humb jetën nga COVID-19, kantautori i njohur Kujtim Prodani

TIRANË, 6 janar /ATSH/ Kantautori Kujtim Prodani u nda sot nga jeta, pasi nuk ia doli të fitonte betejën me COVID-19.

Prodani prej disa ditësh ishte i shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi”, por nuk ia doli ta mposhtte COVID-in.

Pak ditë më parë, vetë Prodani bëri të ditur se ishte infektuar nga COVID-19, ku publikoi një fotografi nga spitali, ku edhe shkruante “Sa miq e sa të afërm na more, o flamë e keqe! Klinika “Shefqet Ndroqi”.

Presidenti Ilir Meta ka shprehu ngushëllime për ndarjen nga jeta të Kujtim Prodanit.
“Një humbje e madhe për artin shqiptar. U shua sot kantautori ynë i shquar, artisti virtuoz dhe qytetari model, Kujtim Prodani, djali i dy prindërve të mrekullueshëm dhe artistëve të paharruar Anita Take dhe Agim Prodani. Shumë dhimbje! Ngushëllimet më të ndjera të afërmve, komunitetit të këngëtarëve dhe të gjithë artdashësve. Këngët dhe muzika e Kujtim Prodanit do dëgjohen përherë”, shprehet Meta.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, pas lajmit të ndarjes nga jeta të Prodanit u shpreh “nuk gjej fjalë të përshkruaj trishtimin që ndjej nga humbja e parakohshme e kantautorit Kujtim Prodani. Djali që i këndoi Tiranës, dashurisë, jetës sot iu bashkua prindërve të tij të nderuar Anita e Agim Prodani. Është shumë herët për t’u ndarë nga ky mik i mirë i të gjithëve. U prehsh në paqe!”.

Kantautori Prodani i ka dedikuar edhe një këngë COVID-19 me titull “Ju flet Corona”.

Kujtim Prodani është këngëtar i njohur dhe autor i 57 teksteve këngësh. Në nëntor 2003, Kujtim Prodani mori pjesë në Këngën Magjike me këngën “I Am From Tirana” dhe prej atëherë aktiviteti i tij artistik nuk është ndalur. Kujtim Prodani ka marrë pjesë në shumë festivale të RTSH-së, si dhe në aktivitete të ndryshme artistike.

Ai ka publikuar albumet “I Am From Tirana”, “Me sytë nga dera”, “Shpirt i trazuar”, si dhe ka publikuar bashkë me Evis Mulën videoklipin “Si u bëmë kështu mikja ime”, si dhe më 18 mars 2013, publikon videoklipin “Shpirt i trazuar”, etj.

Veliaj: Nuk u lodh asnjëherë së kënduari qytetit të tij

Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të një prej kantautorëve më të mirë në vend.

Përmes një mesazhi, Veliaj thekson se Kujtim Prodani e deshi aq shumë Tiranën, sa nuk u lodh asnjëherë së kënduari qytetit të tij.

“Kujtim Prodani e deshi aq shumë Tiranën, sa nuk u lodh asnjëherë së kënduari qytetit të tij. Sot ai u nda nga jeta, duke hidhëruar zemrat e të gjithëve ne që kemi admiruar talentin dhe muzikën e tij unike.  U prehsh në paqe!”, u shpreh Veliaj.

/k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.