Aktivitetet e ndaluara para zgjedhjeve/ PD, padi në SPAK

TIRANË, 6 janar/ATSH/ Partia Demokratike kallëzoi sot në SPAK, drejtuesit më të lartë të Partisë Socialiste, duke nisur nga kryeministri Edi Rama, disa ministra, deputetë, kryebashkiakë dhe drejtorë.

Në kallëzimin e firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, janë 16 persona që kallëzohen se po përdorin funksionin publik për interes elektoral.

PD i ka kallëzuar të gjithë për 2 vepra penale, “Shpërdorim detyre” dhe “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”.

Disa nga shembujt e sjellë janë përfshirja në aktivitete që kanë të bëjnë, kryesisht, me rindërtimin pas tërmetit, ku përdoren burime dhe para publike, si dhe me dhënien e certifikatave të legalizimit apo investimeve të tjera publike.

“Publikimi i këtyre aktiviteteve është i ndaluar edhe me vendim të KQZ-së, bazuar në ligjin e miratuar sipas marrëveshjes së qershorit të kaluar”, thuhet në njoftimin e PD-së.

“Ky kallëzim apo kallëzimet e ngjashme me të janë rasti ideal që edhe SPAK të sprovohet në sytë e mbarë opinionit publik shqiptar dhe ndërkombëtar dhe të tregojë me vepra se organet ligjzbatuese shqiptare do të vendosin përpara përgjegjësive çdo shkelës të ligjit, pavarësisht nëse është i pasur apo i veshur me pushtet”, theksohet në kallëzimin e PD. /m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.