Rindërtimi në Shijak/ Vijojnë punimet, 9 pallatet e reja 7-katëshe përfundojnë për 6 muaj dhe strehojnë 163 familje

TIRANË, 5 janar/ATSH/ Në Shijak kanë nisur sot punimet për ndërtimin e 9 pallateve të reja 7-katëshe, që përfundojnë për 6 muaj dhe ku do të akomodohen 163 familje.

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj dhe kryetari i bashkisë së Shijakut, Elton Arbana inspektuan nisjen e punimeve.

Gjatë inspektimit të nisjes së punimeve Kryeministri Rama tha se “projekti po ecën shumë mirë dhe do të ndryshojë gjithçka në jetën e këtyre banorëve dhe gjithë zonën”.

Kryetari i bashkisë së Shijakut, Elton Arbana tha se “është dita e parë e nisjes së themeleve”.

“Në këto 9 pallate kanë qenë të akomoduara 125 familje dhe do të kenë mundësi të akomodohen 163 familje, pasi rreth 38 familje kanë bërë kërkesë për transferim për të jetuar në këto pallate, pasi nuk kanë patur territor të mjaftueshëm për të bërë shtëpitë individuale. Janë plot 17 350 m2  ndërtim në 9 pallate, 2500 m2 do të jenë njësi shërbimi. Kati i parë do të jetë njësi shërbimit dhe 6 të tjera për të akomoduar familjet e prekura nga tërmeti”, u shpreh Arbana.

Një lajm tjetër i mirë, vijoi Arbana, është se ndërtimi i këtyre 9 pallateve, do të jetë i përfunduar për gati 6 muaj.

Ai bëri të ditur se në javën e tretë të janarit hapet kantieri i madh i lagjes “Lugina”.

“Të gjithë banorët që kanë jetuar në këto apartamente trajtohen me bonus qiraje. Derisa të mbarojë banesa e tyre do të trajtohen me bonus”, – shtoi Arbana.

Kryebashkiaku Arbana tha se “përveç rindërtimit vazhdon puna edhe për ndërtimin e ujësjellësit të Shijakut. Do të kemi një Shijak të rindërtuar nga e para”.

Ndërsa ministri Ahmetaj tha se “me lagjen “Lugina”, pallatet e pikëzuara dhe infrastrukturën, praktikisht është një qytet i ri”. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.