Rindërtimi në Shijak/ Kushte pakrahasimisht më të mira në shtëpitë e reja të familjeve Xoxi dhe Banushi

TIRANË, 5 janar/ATSH/ Kryeministri Edi Rama ishte sot në Xhafzotaj të Shijakut tek dy familje të tjera që hynë në shtëpitë e reja, të rindërtuara pas dëmtimit nga tërmeti.

Familjet e prekura nga tërmeti do të jetojnë në kushte pakrahasimisht më të mira se ato që kishin një vit më parë.

Kryeministri Rama i dorëzoi çelësat familjes së Ismail Xoxit dhe Gazmend Bushit, që hynë në shtëpitë e reja në njësinë administrative Xhafzotaj në Shijak dhe pa nga afër punimet e kryera.

Kryetari i bashkisë së Shijakut, Elton Arbana, tha se “familja e Ismail Xoxi, e përbërë prej 5 personash është përfituese e një banese individuale 3+1. Banesa e vjetër ka qenë 82 m2, ndërsa sot përfiton 120 m2″.

Rama bashkëbisedoi me kryefamiljarët, ndërsa u shpreh se “puna vijon pa pushim për të gjithë ata që u prekën nga tërmeti i 26 nëntorit”.

“Ne kemi bërë detyrën, por na vjen mirë që e kemi bërë mirë detyrën përderisa ju kemi sistemuar në këto shtëpi”, – tha Rama gjatë vizitës në shtëpinë e familjes Banushi.

“Para se të vinim këtu ishim në një familje tjetër që ishte në emigracion. S’i kemi ndarë. Edhe kur janë në emigracion u është prishur pasuria që kanë këtu, ua kemi sistemuar. Kur të duan të kthehen e kanë një shtëpi të re, ose e japin me qira, zgjedhja e tyre”, – tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se do bëjmë maksimumin për banorët e dëmtuar nga tërmeti.

“Banesa e Gazmend Banushi, janë 3 persona në certifikatë familajre dhe janë përfitues të një shtëpie 2+1 apo 85 m2. Kanë pasur një shtëpi të amortizuar që tërmeti ua shkatërroi totalisht”, – tha kryetari i bashkisë së Shijakut, Arbana.

Familjarët falënderuan Kryeministrin Rama për ndërtimin e shtëpive, ndërsa disa nxënëse edhe për shkollën e re. /k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.