Reagim ndaj akuzave të PD-së/Bashkia e Tiranës: Ngatërroi Lulin hallexhi të tërmetit me Lulin e 4 vilave pas tërmetit

TIRANË, 5 Janar/ATSH/ Bashkia e Tiranës ka reaguar ndaj akuzave të PD-së, sipas së cilave thuhet se shtetasi Lulzim Ali Aga nga Vishnja e Vaqarrit, ka përfituar nga programi i rindërtimit, ndërkohë që zotëron 4 prona të tjera dhe duhet të përjashtohej si përfitues.

“PD ka dalë për të disatën herë bllof me denoncimet e saj për procesin e rindërtimit. Bashkia e Tiranës ka përgënjeshtruar sërish PD-në, e cila sot pretendoi se shtetasi Lulzim Ali Aga nga Vishnja e Vaqarrit, ka përfituar nga programi i rindërtimit, ndërkohë që zotëron 4 prona të tjera dhe duhet të përjashtohej si përfitues. Por nga dokumentet e publikuara nga Bashkia e Tiranës, rezulton se PD ka ngatërruar person. Lulzim Ali Aga, për të cilin flet PD-ja, nuk ka aplikuar asnjëherë për të përfituar nga programi i rindërtimit dhe për pasojë, Bashkia e Tiranës nuk po i ndërton shtëpinë’’, njofton Bashkia e Tiranës teksa thuhet se “në të vërtetë, shtëpia i është ndërtuar Luli Shaban Agës, e cila ishte klasifikuar e kategorisë DS5, për rindërtim, nga ekspertët”.

Deklarata e plotë e bashkisë së Tiranës:

Është fakt i njohur botërisht se Lulzim Basha e ka shndërruar Partinë Demokratike në prodhuese dhe shpërndarëse qesharake ‘fake news’-esh. I mbytur nga dëshpërimi se po përgatitet të humbë sërish zgjedhjet në Tiranë dhe kudo në Shqipëri, Lulzim Basha e ka humbur toruan dhe çdo ditë fabrikon mashtrime të ulëta për procesin e rindërtimit, duke guxuar të tallet me të gjitha familjet që u prekën nga fatkeqësia e tërmetit të 26 nëntorit.

Lulzim Basha, njeriu që ka hyrë në histori me nofkën kryebashkiaku i gjumit, i ka mashtruar shtatë herë qytetarët e Tiranës dhe rasti i sotëm është mashtrimi i tetë. Në një deklaratë qesharake të publikuar sot, një spikere e PD-së pretendoi se shtetasi Lulzim Ali Aga nga Vishnja e Vaqarrit, ka përfituar nga programi i rindërtimit dhe po i rindërtohet shtëpia, ndërkohë që sipas saj, ai zotëron 4 prona të tjera.

Lulzim Ali Aga mund t’i zotërojë pronat që pretendon PD-ja, por ky shtetas nuk ka aplikuar asnjëherë për të përfituar nga programi i rindërtimit dhe për pasojë, Bashkia e Tiranës nuk po i ndërton atij shtëpinë.

Në njësinë administrative Vaqarr në datën 21 shkurt 2020 ka aplikuar shtetasi Luli Shaban Aga, shtëpia e të cilit është klasifikuar e kategorisë DS5, për rindërtim. (Dokumentet i gjeni bashkëlidhur.)

Njësoj si në rastin e Tatjanës nga Njësia 4, të cilës Lulzim Basha dhe Partia Demokratike i ndryshuan identitetin dhe e bënë Fatime, për të mashtruar qytetarët e Tiranës, edhe sot Luli Shaban Agës i ndërruan identitetin dhe e kthyen në Lulzim Ali Aga për të fabrikuar gënjeshtrën e radhës.

Por, me sa duket, PD-ja ka ngatërruar Lulin hallexhi të tërmetit me Lulin e 4 vilave pas tërmetit.

Qeveria dhe Bashkia e Tiranës nuk kanë lënë pa ndihmuar as edhe një familje që është prekur nga tërmeti i nëntorit, por vijon punën për strehimin e tyre në banesa të reja, të rindërtuara, më të mira e më të sigurta.

PD: Procesi i rindërtimit selektiv, po shpërblehen në mënyrë të paligjshme militantët e partisë

Zëdhënësja e PD-së, Ina Zhupa deklaroi sot se “procesi i rindërtimit, më shumë se 1 vit nga tërmeti, është kthyer në një proces abuziv dhe selektiv, duke shpërblyer në mënyrë të paligjshme militantët e partisë në pushtet”.

Zhupa tha se “ligji e ndalon që bashkia të paguajë për rindërtimin e banesave të atyre që kanë më shumë se një pronë, por Erion Veliaj e ka shkelur këtë ligj për interesa personal partiakë. Kur mijëra njerëz jetojnë ende në çadra apo në pasigurinë e qirasë, kryetari i bashkisë së Tiranës, po i rindërton Lulzim Agës një godinë njëkatëshe, në mënyrë të paligjshme. Si pakkush në Shqipëri, ai ka edhe 4 prona të tjera, ndër të cilat 2 shtëpi banimi”.

“Dokumentat provojnë se Erion Veliaj po rindërton një godinë njëkatëshe për dikë që ka edhe një një shtëpi 3-katëshe, po këtu pranë, një apartament në rrugën “Qemal Stafa” në Tiranë dhe dy prona të tjera në truall”, tha zëdhënësja e PD-së.

“Shkelja e Erion Veliajt, në këtë rast, është flagrante. Ai është në shpërdorim të detyrës dhe duhet të mbajë përgjegjësi për këtë, pse lë jashtë në çadër njerëz pa mbështetje politike dhe pse i ndërton shtëpinë e tretë bashkëpunëtorit të tij partiak”, u shpreh Zhupa.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.