Rindërtimi në Shijak/ Arbana për ATSH-në: 350 familje festuan Vitin e Ri në banesat e reja; 2021 vijon me ndërtimin e 30 pallateve dhe shtëpive individuale

TIRANË, 1 janar/ATSH-Maela Marini/ Deri në fund të muajit dhjetor, në bashkinë e Shijakut janë ndërtuar 350 banesa individuale nga 567 gjithsej, ndërkohë që të tjerat pritet të përfundojnë në ditët e para të janarit.

Në një intervistë për ATSH-në, kryetari i bashkisë Shijak, Elton Arbana ndalet te sfida e rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, si dhe transformimi i pritshëm i bashkisë Shijak në kuadër të investimeve nga programi i Rindërtimit.

Arbana shprehet se “prioriteti i 2020 ishte ndërtimi i shtëpive, pallateve, shkollave”. “Qëllimi i punës tonë ka qenë që të mbarojmë sa më shumë banesa në mënyrë që të gëzojmë sa më shumë familje, ashtu sikurse kemi premtuar”, tha ai.

Arbana tha se “kemi përfunduar infrastrukturën e brendshme të Lagjes “Lugina” ku do të ndërtohen 18 pallate nga 30 që janë për t’u ndërtuar të reja në të gjithë Shijakun”.

Nga fondi i dhënë nga Grantet e Rindërtimit, ai theksoi se “kemi përfunduar rikonstruksionin e 27 pallateve, një rikonstruksion total i bërë në çdo apartament”.

Ndërkohë, sa i takon institucioneve arsimore, Arbana shprehet se “ka përfunduar shkolla e mesme e bashkuar “Kajo Karafili” e cila mirëpriti rreth 370 nxënës në Maminas dhe gjimnazi “16 shtatori” Shijak”. Së shpejti, tha ai, “përfundojmë dhe kopshin nr.1, shkollën “Lidhja e Prizrenit”, shkollën “Petrit Llaftiu”dhe “Rilindja””.

I pyetur se si ka qenë për të si kryebashkiak kjo sfidë, Arbana thekson se “vërtetë ka qenë një rrugëtim i vështirë, ku kemi ecur përmes shumë sfidave pas 26 nëntorit, mes orëve pafund të punës tonë të përbashkët për të shpejtuar proceset, me një bashkëpunim dhe mbështetje të shkëlqyer të Qeverisë shqiptare dhe sidomos me vullnetin e mirë të Kryeministrit për të sjellë shpresë për të gjitha familjet e dëmtuara”.

“Falënderoj banorët e Shijakut për durimin e treguar përgjatë gjithë procesit të Rindërtimit, falënderoj Kryeministrin Edi Rama për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë qytetit tonë”, tha ai.

Ndërkohë, Arbana tha se shikon një perspektivë të mirë për Shijakun gjatë vitit 2021.

“Me mbështetjen e Kryeministrit Edi Rama Shijaku po ndryshon totalisht. Tani po mendojmë të hapim diçka të re që të punësojmë mbi 2000 persona. Gjatë muajit janar do ta bëj publike, pasi po bëjmë një studim fizibiliteti, gjithmonë me mbështetjen e Kryeministrit Rama. Nëse do ta finalizojmë këtë, atëherë do të na duhet të bëjmë thirrje që emigrantët të rikthehen në vendin e tyre të lindjes”, tha ai.

Ai theksoi se në 2021, “rindërtimi do të vazhdojë me ndërtimin e 30 pallateve të reja dhe shtëpive individuale. Shpresojmë të ndërtojmë Xhami të re siç e meriton komuniteti musliman i Shijakut si dhe Pallatin e Kulturës. Qyteti ynë dhe fshatrat e tij i kanë të gjitha mundësitë dhe potencialin për tu kthyer në një destinacion turistik”, tha ai.

Arbana ka po ashtu edhe një mesazh për banorët e Shijakut. “Mes pluhurit të kantiereve të ndërtimit në Shijak ne po ndërtojmë të ardhmen tonë si një qytet europian. E gjithë kjo pritje do të shpërblehet për çdo banor të Shijakut, për të pasur qytetin që duan dhe që meritojnë. Ne besojmë te mundësitë që na ofron e ardhmja dhe me bindje të plotë do të realizojmë më të mirën për qytetin e Shijakut. Ku ka vullnet, ka zgjidhje”, tha ai.

Hap pas hapi me rindërtimin në Shijak

Arbana bëri një panoramë të gjithë hapave nëpër të cilin ka ecur programi i rindërtimit gjatë viti 2020 në bashkinë e Shijakut.

“Viti 2020 për bashkinë e Shijakut nisi me një sfidë madhore”. “Fatmirësisht nuk patëm humbje në jetë njerëzore pas tërmetit të nëntorit, por dëmet materiale ishin të shumta. Pas menaxhimit të parë të situatës, akomodimit të familjeve të pastreha, shërbimit të përditshëm të tre vakteve të ngrohta, dhënies së kurajos që gjërat do të përmirësohen, viti 2020 ishte koha për të zgjidhur problemet që u krijuan. Madje kjo u bë kryefjala e përditshme e punës time”, tha ai.

Arbana theksoi se “mbështetja e Kryeministrit Edi Rama, e qeverisë shqiptare dhe e donatorëve si Bashkimi Europian, Katari, Turqia, Zvicra, Emiratet e Bashkuara Arabe, etj, kanë qenë mbështetja më e madhe për ne si bashki për të ecur përpara drejt zgjidhjes të situatës së krijuar”.

“U aplikua bonusi i qerave ku përfituan mbi 800 familje, deri në momentin kur të hyjnë në shtëpinë e re. Në fillim të janarit ne nisëm punën intensive 24 orë për plotësimin e dokumentacionit për dëmet e shkaktuara nga tërmeti, duke u bazuar në të dhënat nga terreni të inxhinierëve tanë dhe të huaj.

Kjo, thekson Arbana, “ishte faza e parë e Programit të Rindërtimit, ku u shpall dhe harta e re për Rindërtim”.

“Me 17 shkurt dita e shumëpritur e Konferencës së Donatorëve ishte një sukses i vërtetë i Kryeministrit dhe i gjithë Shqipërisë, një dritë jeshile për konkretizimin e ëndrrës për rindërtimin e Shijakut. Më pas u hap platforma “Shtëpia ime” deri në fund të muajit shkurt, për t’i dhënë mundësi familjeve të dëmtuara për të regjistruar të gjitha banesat e dëmtuara nga tërmeti në bazë të nivelit të dëmit të shkaktuar. Kjo platformë u rihap dhe disa ditë gjatë muajit korrik dhe gjithashtu në dhjetor, për të krijuar një tjetër mundësi për familjet që nuk kishin pasur mundësi të aplikonin”, tha ai.

Gjithashtu, Arbana thekson se “gjatë muajit shkurt realizuam dëgjesat publike në Shijak dhe në Njësitë Administrative Xhafzotaj, Maminas dhe Gjepapaj si takime të drejtpërdrejta me banorët për të diskutuar Planin e ri Zhvillimor dhe problematika konkrete që ata kishin”.

“Në muajin prill nisi shembja e shkollave me gjimnazin “16 shtatori” për t’i hapur rrugë ndërtimit të shkollave më të sigurta, më të bukura dhe me infrastrukturë europiane. Në fillim të muajit maj kemi nisur me procesin e demolimit në lagjen “Lugina”, për të konkretizuar një premtim të dhënë. Gjatë muajit qershor kemi lidhur kontratat për familjet që kanë nivel dëmi DS1, DS2, DS3 dhe përfitojnë dëmshpërblim. Për banesat kolektive banorët kanë përzgjedhur dy administratorë për çdo pallat që të përzgjidhnin firmën ndërtuese për punimet e rikonstruksionit. Më pas vijuam me përgatitjen e infrastrukturës së brendshme të pallateve të reja që do të ndërtohen dhe me nisjen e ndërtimit të 567 shtëpive të para individuale”, thekson ai, ndërsa bën një bilanc të punëve intensive që janë kryer gjatë 2020-s.

Pandemia nuk ndërpret investimet e tjera në Shijak

Nga ana tjetër, Arbana theksoi se “pandemia nuk e ndërpreu procesin e Rindërtimit, por paralelisht me të, Bashkia e Shijakut ka vijuar punën për mirëmbajtjen e qytetit dhe infrastrukturën rrugore”.

“Në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar dhe Fondin Shqiptar të Zhvillimit kemi përfunduar aksin rrugor “Katër rrugët”- Xhafzotaj dhe më pas “Katër rrugët – Rrashbull, një premtim i mbajtur për të lehtësuar lëvizjen e përditshme të banorëve në këtë rrugë, ku nuk është ndërhyrë për dekada”, theksoi ai.

Gjithashtu, ai theksoi se “rrjeti i brendshëm i Ujësjellësit të Shijakut që kishte mbi 30 vite me probleme në funksionimin e tij dhe ishte shumë i amortizuar po sistemohet falë një investimi prej 2.7 milion euro të qeverisë shqiptare”.

“Po ndërtohet 30 km rrjet i brendshëm, po rikonstruktohet depoja e cila furnizon Shijakun dhe po instalohen pompa të reja”, tha Arbana.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.