Rindërtimi/ Me familjet që kthehen në shtëpi sot, arrin në 1000 numri i familjeve që do ta festojnë Vitin e Ri në banesa të reja


TIRANË, 31 dhjetor /ATSH/ – Sot arrin në 1000 numri i familjeve që do ta festojnë Vitin e Ri në shtëpinë e re

Kryeministri Edi Rama ishte sot në Shijak ku i dorëzoi çelësat e shtëpive të rindërtuara dy familjeve.

“Me familjet që kthehen në shtëpi sot, arrin në 1000 numri i familjeve që do ta festojnë Vitin e Ri në shtëpinë e re, në kushte shumë më të mira se ato që kishin para goditjes tragjike të 26 nëntorit”, tha Rama.

Rama vizitoi familjen e Makbule Buza e përbërë prej 5 personash që kanë përfituar një shtëpi 120 m2, nga 95 që ka qenë shtëpia e vjetër.

Vajza e shtëpisë, Entela ishte skpetike ditët e para për ndërtimin e shtëpisë së re, por sot kishte fjalët më të mira. “Ne si familje jemi shumë mirënjohës. Kjo është shtëpia ku ministri Ahmetaj ka ngulur dhe gozhdën e parë. Momenti kur vërtetë iu kam besuar që do bëhej shtëpia është kur erdhi ministri”, u shpreh ajo.

Kryebashkiaku Arbana theksoi se, “lajmi më i mirë që na keni dhënë sot z. Kryeministër është fillimi i hapjes së themeleve për pallatet në qytetin e Shijakut”.

Kryebashkiaku Arbana u shpreh se, “sipas afateve të përfundimit, brenda muajit korrik të gjitha pallatet që do të nisin do të jenë të përfunduara”.

Ndërsa Kryeministri Rama tha se, lagja e re Lugina do të jetë kryevepër

Ministri Ahmetaj tha se, lagjia Lugina pritet të përfundojë në nëntor, maksimumi në dhjetor sepse është edhe pak më komplekse.

Kryeministri Rama më pas vizitoi edhe familjen e Myftar Guzës, ku i dorëzoi çelësin e shtëpisë banorëve.

Kryebashkiaku i Shijakut, Elton Arbana tha se, “kjo familje është e përbërë prej 4 personash dhe me një person me aftësi ndryshe në familje. Pikërisht për këtë arsye sipas sistemit të pikëzimit ne e kemi nisur përpara banesave të tjera dhe sot kjo familje do jetë e lumtur të hyjë në shtëpinë e re”. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.