Edhe 2 familje në Maminas hyjnë në banesat e rindërtuara/ 400 familje të kthyera në shtëpi të reja në bashkinë e Shijakut

TIRANË, 31 dhjetor /ATSH/  Kryeministri Edi Rama ishte sot në Maminas të Shijakut ku vizitoi familjet, të cilave u janë rindërtuar shtëpitë.

“Sot bëhen plot 400 familje të kthyera në shtëpinë e re në këtë bashki, pas humbjes tragjike të strehës një vit më parë”, u shpreh kryeministri Rama.

Rama vizitoi familjen e Ramazan Gjeçit, e përbërë prej 6 personash.

Kryebashkiaku i Shijakut, Elton Arbana u shpreh se “djali i kësaj familjeje së bashku me bashkëshorten dhe 2 fëmijë jeton në Itali dhe megjithëse jetojnë në Itali qeveria i ka qëndruar dy pensionistëve shumë afër”.

Rama i dha çelësin e shtëpisë së rindërtuar pjesëtarëve të familjes Gjeçi të cilët e falënderuan.

“Faleminderit. Jemi shumë të kënaqur, kanë bërë punë shumë të pastër”, u shpreh kryefamiljari.

Rama vizitoi edhe familjen e Ali Ukut. Kryebashkiaku Arbana u shpreh se, “kjo familje përbëhet prej 6 personash. Djali bashkë me nusen dhe 2 fëmijët edhe në këtë familje jeton jashtë. Në asnjë moment ne nuk i kemi lënë. Edhe pse nuk i kanë fëmijët këtu ne nuk i kemi lënë vetëm, si në rastin e pandemisë edhe në rastin e rindërtimit të banesës së re. Banesa e vjetër ka qenë 83 m2 dhe sot përfitojnë plot 120 m2”.

Rama u dorëzoi çelësin banorëve, të cilët e falënderuan dhe u shprehën shumë të kënaqur me shtëpinë e re.

Rama u shpreh se nga tërmeti u goditën pjesa më e varfër. “Për fat të keq na zuri kjo pandemia na vonoi ca punë. Por sot janë 1000 familje që bëjnë gëzuar në shtëpitë e reja. Të tjerat në janar e shkurt. Pastaj për pallatet pak më vonë. Por u goditën pjesa më e varfër. Ju pensionista kur do bënit shtëpi ju?”, tha Rama.

“Tani do fillojmë dhe pallatet në Shijak. 10 ditëshin e parë fillojnë 9 pallatet. Pastaj lagja Lugina. Dhe pallatet besoj brenda verës, do i dorëzojmë. Lagjen besoj brenda vitit do e dorëzojmë”, theksoi Rama.

Kryebashkiaku Arbana më tej u shpreh se, “banesat e tjera të mbetura, brenda 15 janarit ne do të bëjmë të mundur që të përfundojnë të gjitha”.

Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, u shpreh se, “në këtë zonë kemi edhe 85 banesa që nuk ndërtohen dot për shkaqe gjeografike gjeologjike dhe do u japim paratë”.

“85 janë të parat. Sigurisht që numri ka qenë progresiv janë shtuar edhe 48 të tjera. Pra 133 familje do të përfitojnë nga granti me vlerë të plotë”, tha Arbana. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.