Shtyhet afati për kolaudimin e automjeteve gjatë janarit

TIRANË, 29 dhjetor/ATSH/ Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku bëri të ditur se për automjetet që kanë detyrimin e kryerjes së kolaudimit gjatë muajit janar do të shtyhet afati.

Sipas ministres Balluku, ky shërbim do të kalojë në përgjegjësinë e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor, pasi kompanisë koncesionare “SGS” që ofronte këtë shërbim i përfundon afati i kontratës më 31 janar.

“Koncesioni përfundon më 31 janar. Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor do të marrë në dorëzim asetet. Do të jetë proces që do të marrë pak kohë, pasi duhet të vlerësojmë nëse dorëzimet po bëhen sipas kontratës, nëse asetet janë në kushte të mira dhe nëse është kryer realizimi i investimeve në 3 vitet e fundit që kërkohej në kontratë. Do të ketë një shtyrje të afatit për kolaudimin e automjeteve që kishin detyrim ta kryenin në muajin janar. Në ditët në vijiim do të publikojmë të tjera detaje“, tha ministrja. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.