Investimet në fushën e aviacionit/ Rritje e cilësisë së shërbimeve dhe ulje e çmimit të biletave

TIRANË, 29 dhjetor/ATSH/ Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha sot se me investimet në fushën e aviacionit në Shqipëri do të arrihet diçka e rëndësishme për tregun shqiptar, do krijohet konkurrencë të drejtë e të pastër dhe si rrjedhojë  mundësi e rritjes së cilësisë së shërbimeve, por edhe ulje e çmimeve që sipas minmistres është një çështje sensitive prej vitesh.

Në fjalën e saj në konferencën për shtyp, Balluku theksoi se “transporti ajror është një nga sektorët më të goditur gjatë pandemisë e padyshim për ne ka qenë një prioritet”.

“Jemi drejt përfundimit dhe dorëzimit të aeroportit të Kukësit, i cili siç ka premtuar Kryeministri do të jetë i gatshëm për fluturime gjatë pranverës së 2021. Jemi edhe në finalizimin e procesit të garimit për aeroportin ndërkombëtar të Vlorës, për t’i dhënë më pas pasi t’i mbyllim këto procedura, edhe një mundësi aeroportit të Sarandës” u shpreh Balluku.

Ministrja Balluku tha se “këto aeroporte vijnë pas një studimi të thelluar për zhvillimin e aviacionit në Republikën e Shqipërisë dhe janë aeroporte me tipologji të ndryshme, të cilat i duhen vendit, duke u nisur nga aeroporti i Kukësit që është një aeroport rajonal që nuk ka të bëjë vetëm me tregun shqiptar të udhëtarëve, por që ka të bëjë me të gjithë rajonin, në të cilin ai ndodhet duke i ofruar shërbime edhe qytetarëve të Kosovës, të Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi”.

Sipas saj, destinacionet që do të arrihen nga ky aeroport janë destinacione që do të mbulojnë kërkesën e atij tregu, pra në vendet e Europës Veriore ku jeton diaspora.

“Aeroporti i Tiranës është i vetmi ndërkombëtar që kemi, por pa dyshim me problematikat shumë të mëdha që unë nuk i kam fshehur ndonjëherë dhe duke qenë se vij nga ajo fushë, kam pasur fatin ‘ti njoh edhe para se të ndodhem në këtë pozicion. Kështu që i kam kërkuar koncesionarit disa herë publikisht dhe zyrtarisht që të ndërmarrë disa masa dhe veprime për të plotësuar kushtet e kontratës koncesionare në atë aeroport. Sigurisht prej tyre janë përmbushur disa”, nënvizoi Balluku.

Duke folur për aeroportin e Vlorës ministrja Balluku tha se “ai synon të bëhet aeroporti i gjithë shqiptarëve si dhe aeroporti ndërkombëtar më i madhi në vend me kapacitete teknike që do të përmbushin fluturimet transoqeanike, çka është edhe pjesa më rëndësishme dhe synimi i atij aeroporti për të krijuar një akses të drejtpërdrejtë të shqiptarëve aty ku kemi një pjesë të madhe të diasporës qoftë në Nju Jork, në Detroit , Boston etj”.

Ministrja Balluku tha se “plani për aeroportin e Sarandës është plani për të mbështetur strategjinë e turizmit, që ne po zhvillojmë prej 2 vitesh në gjithë Shqipërinë, por veçanërisht në Shqipërinë  e Jugut, duke krijuar kështu një akses të drejtpërdrejtë të gjithë vizitorëve në zonën e Sarandës dhe zonat përreth, por si një aeroport sezonal siç është edhe aeroporti i Korfuzit, Greqi”.

/k.s/j.p/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.