Nga 3D në realitet/ Shkolla “Shtodhër” e rilindur në Kavajë, kushte optimale për 130 nxënës

TIRANË, 28 dhjetor/ATSH/ Në Kavajë, shkolla 9-vjeçare “Shtodhër” ka rilindur pas tragjedisë së 26 nëntorit të vitit 2019.

Kryeministri Edi Rama pa sot nga afër punimet e kryera në këtë shkollë, që tashmë është gati të mirëpresë nxënësit e mësuesit e saj.

“Në shkollën nëntëvjeçare “Shtodhër”, rilindur pas tragjedisë së 26 nëntorit dhe tanimë e kthyer nga 3D në realitet për 130 nxënës, më e bukur, më e fortë e me kushte optimale, njësoj si shkollat e Bashkimit Europian”, tha kryeministri Rama.

Në këtë shkollë do të ndjekin arsimin parashkollor edhe 25 fëmijë. Shkolla ka 11 klasa, 4 laborator si dhe ambiente sportive.

Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj informoi se në kuadër të procesit të Rindërtimit deri më 31 dhjetor do të kenë përfunduar 30 shkolla. Në muajin janar, u shpreh Ahmetaj, do të kenë përfunduar edhe pjesa më e madhe e loteve të nisura. Ndërkohë bashkia e Tiranës po vazhdon me themelet. /a.a/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.