FOKUS – Netanyahu kundër kthimit të marrëveshjes bërthamore me Iranin

TEL AVIV, 27 dhjetor /ATSH-DPA/ – Izraeli kundërshton me forcë çdo kthim në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 midis fuqive botërore dhe Iranit, paralajmëroi sot kryeministri, Benjamin Netanyahu.

“Izraeli beson fuqimisht se nuk duhet të ketë kthim në marrëveshjen bërthamore të Iranit të vitit 2015″, tha ai.

Paralajmërimi vjen më pak se një muaj para se presidenti i zgjedhur amerikan, Joe Biden të marrë zyrtarisht presidencën nga Trump, i cili u tërhoq nga pakti dhe rifilloi sanksionet në vitin 2018.

”Ky pakt me të meta deri në themelet e tij, i dha Iranit një autostradë të shtruar me ar për të ndërtuar infrastrukturën për një arsenal të tërë të bombave bërthamore”, sipas Netanyahut.

“Izraeli është i qartë se në asnjë rrethanë nuk duhet të ketë një kthim në atë marrëveshje të keqe”, thekson ai.

Disa fuqi europiane kanë shprehur shpresën për t’i dhënë frymë të re Planit të Përbashkët të Përgjithshëm të Veprimit 2015 (JCPOA), pas sinjaleve pajtuese nga Biden.

Marrëveshja ka për qëllim të parandalojë që Republika Islamike të grumbullojë uranium që mund të përdoret për armët bërthamore.

Si kompensim, fuqitë e mëdha premtuan t’i japin fund izolimit ekonomik të Iranit duke hequr sanksionet.

”Por, Irani tani ka uranium shumë më të pasuruar sesa lejohet sipas marrëveshjes”, ka deklaruar Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) në Vjenë.

Përveç Trumpit, Netanyahu shihet si një nga kritikët më të fortë të marrëveshjes bërthamore.

Izraeli ka frikë se një Iran me një bombë atomike mund të përbëjë një kërcënim ekzistencial për të.

Udhëheqja në Teheran akuzon qeverinë amerikane se po përpiqet të sjellë ndryshimin e regjimit me anë të sanksioneve./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.