Ministria e Drejtësisë, dhurata për fëmijët e grave të dënuara në Tiranë

TIRANË, 26 dhjetor/ATSH/ Ministria e Drejtësisë, falë ndihmës bujare të biznesit dhe shoqatave, shpërndau pako me dhurata për fëmijët e të dënuarave të burgut të grave në Tiranë.
“Mes grave dhe vajzave të IEVP 325 në Tiranë! Të dënuarat femra e vuajnë edhe më tepër të qenit larg vatrës së familjeve dhe fëmijëve të tyre, sidomos gjatë periudhës festive të fundvitit, përfshirë edhe kushtet e pandemisë ku ndodhemi”, tha Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, ndërsa shpërndau pamje nga ky aktivitet.
“Marrim me vete shumëçka prej vullnetit dhe këmbënguljes së tyre, se një ditë patjetër do ta ndjejnë pranë ngrohtësinë e përqafimeve të bijve dhe familjarëve të tyre. Me mahnitjen nga punimet e mrekullueshme artizanale që vetëm duart e tyre të arta arrijnë të punojnë, ekipi i Ministrisë së Drejtësisë qëndroi me të dënuarat vajza dhe gra të IEVP 325 duke marrë pjesë në festën e tyre të vogël por me zemër shumë të madhe. Faleminderit”, tha Gjonaj. /m.m/j.p/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.