“Drita e shpresës më e fortë se kurrë”/ Aria 3 vjeçare kryen me sukses operacionin për të rifituar dëgjimin me financim nga qeveria

TIRANË, 25 dhjetor/ATSH/ Drita e shpresës së kësaj dite Krishtlindjesh ka mbërritur më e fortë dhe më e ngrohtë se kurrë në familjen e Arias tre vjeçare.
Kryeministri Edi Rama publikoi sot historinë e Arias, e cila sapo ka kryer me sukses operacionin e implantit koklear për të rifituar dëgjimin, financuar 100% nga shteti shqiptar.
Një email i dërguar nga halla e saj në platformën www.shqiperiaqeduam.al dhe bashkëveprimi në kohë reale i ekipit të bashkëqeverisjes me skuadrën e shëndetësisë bëri që procedura për operacionin e vajzës të trajtohej me përparësi, duke tejkaluar pengesat dhe vonesat e shkaktuara nga situata e pazakontë me pandeminë për kryerjen e tij
“Krenar për ndjeshmërinë që ekipet tona dëshmojnë çdo ditë, pavarësisht pengesave që mund t’i bëjnë betejat të vështira, por kurrsesi të pamundura”, – shprehet Rama.
Nëna e Arias, tregon për ERTV se “e kuptova kur vajza ishte në moshën 1 vjeçare dhe ishte një moment i pabesueshëm. Ishte një nga momentet më të vështira mendoja se nuk do ia dilja dot. Por ndoshta ka qenë fati i Arias dhe me ndihmën e bashkëqeverisjes kjo ëndërr u realizua , kjo ke qenë një nga dëshirat më të mdha dhe ëndrra më e madhe”.
“Një nga gjërat që i jam më shumë mirënjohëse shtetit është se operacioni kushtonte shumë dhe mua më dukej e pamundur prej situatës sonë ekonomike. Operacioni u financua nga qeveria dhe unë do jem falenderuese gjithë jetën. Ishte dhurata më e bukur që Aria mund të merrte për fundvit”, tha mamaja e Arias.
Ndërsa Arlinda, halla e Arias, shprehet se “emaili që dërgova te bashkëqeverisja i dha një shtysë më të madhe procesit. Brenda 8 ditëve mora përgjigjen pozitive që Aria do ishte nga fëmijët e parë për kryerjen e operacionit”.
“Operacioni u krye me sukses dhe tani po presim me padurim që Aria të vendosë edhe aparatin që të fillojë të dëgjojë”, – tha Arlinda Mehmeti.

Një e-mail në platformën e bashkëqeverisjes “shqiperiaqeduam.al” mund ti jape zgjidhje shumë shqetësimeve dhe problematikave në raport me përfitimin e shërbimeve të caktuara.  Nga janari deri më sot janë 9548 raste të zgjidhura përmes kësaj platforme.

/k.s/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.