Mbështetje për sistemin e drejtësisë në Shqipëri/ Kryeprokurori Çela takim me Ambasadorin Del Monaco

TIRANË, 24 dhjetor/ATSH-A. Fortuzi/ Koordinimi dhe bashkërendimi i punës mes dy institucioneve për të rritur bashkëpunimin e mëtejshëm mes Prezencës së OSBE-së dhe Prokurorisë së Përgjithshme përmes projekteve të përbashkëta, ishte fokusi i takimit të zhvilluar sot në Tiranë mes Kryeprokurorit të Shqipërisë Olsian Çela dhe Kryetarit të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadorin Vincenzo Del Monaco.

Në njoftimin e publikuar të enjten nga Prokuroria e Përgjithshme, njoftohet se “Prokurori i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë Olsian Çela priti sot në një takim, në zyrën e tij, Kryetarin e ri të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri ambasadorin Vincenzo Del Monaco.”

Gjatë takimit, Prokurori i Përgjithshëm e njohu ambasadorin Del Monaco me punën dhe prioritetet e institucionit, duke vlerësuar mbështetjen që OSBE ka dhënë dhe po jep për sistemin e drejtësisë në Shqipëri.

Gjatë takimit u dakordësua koordinimi dhe bashkërendimi i punës mes dy institucioneve për të rritur bashkëpunimin e mëtejshëm mes Prezencës së OSBE-së dhe Prokurorisë së Përgjithshme përmes projekteve të përbashkëta.

Në takim u diskutua edhe mbi aspekte të rëndësishme, të tilla si roli i prokurorisë dhe vlerësimi i kapaciteteve të saj në goditjen dhe parandalimin e krimit.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.