FOKUS – Përpjekjet e fundit për një marrëveshje postBrexit BE-BM

BRUKSEL, 24 dhjetor /ATSH-AFP/ – Përpjekjet tregtare mes Londrës dhe Brukselit vazhdojnë edhe sot pas një nate të gjatë bisedimesh të përqendruara mbi peshkimin, duke vonuar kështu njoftimin e një marrëveshjeje historike postBrexit, një ditë para Krishtlindjeve dhe një javë nga shkëputja përfundimtare.

Nëse konfirmohet, ky divorc miqësor mes Komisionit Europian dhe Britanisë së Madhe, siguruar rrëmbimthi pas 10 muajve bisedimesh rraskapitëse, do të vuloste rreth gjysmë shekulli martese të nxehtë midis dy partnerëve.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen duhet të takohej  fillimisht në orët e para të mëngjesit me kryeministrin britanik, Boris Johnson për përmbylljen e negociatave, para një njoftimi. Por ky takim nuk është zhvilluar ende.

“Kjo mosmarrëveshje mbi shifrat e peshkimit, pika e  fundit e diskutimeve dhe kjo është një shenjë e keqe”, theksoi një burim europian.

“Negociatat nuk kanë mbaruar ende”, paralajmëroi një burim i dytë europian.

Ministri i Jashtëm Irlandez Simon Coveney dëshiron të jetë më optimist.

“Është e sigurt që vrulli dhe pritjet janë të tilla që ne do të marrim një marrëveshje Brexit në prag të Krishtlindjeve”, theksoi ai për RTE.

Katër vjet e gjysmë pas referendumit të qershorit 2016 për Brexit, rezultati i këtyre diskutimeve do të lejojë që të dy palët të shmangin një “no deal” që është shumë e turpshme politikisht dhe po aq është e dëmshme ekonomikisht.

Përfundimi i një teksti prej 2 000 faqesh me shumë vështirësi në 10 muaj do të ishte gjithashtu një sukses për Londrën dhe Brukselin, veçanërisht për një marrëveshje të këtyre përmasave që zakonisht zgjat me vite.

Dy vjet e gjysmë ishin të nevojshme për të negociuar traktatin e tërheqjes që nënshkroi largimin britanik, i përfunduar në fund të vitit 2019, një tekst i cili sjell siguri ligjore për të mërguarit në të dy anët e La Manche-t dhe ofron garanci për ruajtjen e paqes në ishullin e Irlandës./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.