Çmimi i energjisë që paguajmë i subvencionuar nga shteti/ Nga 13.5 lekë në 2013, sot 9.5 lekë për konsumatorin

TIRANË, 24 dhjetor /ATSH/ “Çmimi i energjisë në Shqipëri për konsumatorët nuk është absolutisht ndër çmimet më të larta në Europë”, deklaroi Rama gjatë konferencës së përjavshme mbi ekonominë, që zhvilloi sot me gazetarët së bashku me ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

“Kjo është krejt e pavërtetë. Shikoni sa ka qenë çmimi i energjisë për konsumatorin familjar në vitin 2013 dhe sa është sot. Ka qenë 13.5 lekë, sot është 9.5 lekë çmimi për konsumatorin familjar. Nuk është absolutisht ndër çmimet më të ulëta, përkundrazi është një çmim i mbajtur me thonj në atë nivel, sepse nëse do ta linim të lirë llogarinë me parimet e tregut të lirë, nuk do të lihej kurrë aty”, tha Rama.

Kryeministri tha se “është e vërtetë që për biznesin është rritur dhe kjo nuk është fare as sekrete, as për t’u diskutuar se ne e kemi thënë kush fiton më shumë paguan më shumë dhe kaq”.

“Çmimi i energjisë që ne paguajmë është i subvencionuar nga shteti. Për të përballuar koston shteti paguan për të gjithë ata që kanë një faturë energjie në shtëpi si konsumator familjar, se çmimi real është shumë më i lart se çmimi që paguhet. Ndaj ju thashë se për familjarët nuk ekziston. Për sa i takon biznesit, është treg i lirë dhe paguan sipas kushteve të tregut, është e thjesht”, tha Rama.

Duke u ndalur në çmimin e energjisë Balluku tha se, “çmimi i energjisë për konsumatorin familjar, që përbën numrin më të madh të abonentëve në rrjet. Kemi dëgjuar shumë që çmimi këto kohë po përdoret politikisht, por dua të bëj të ditur se, nuk ka asnjë rritje të çmimit të energjisë që nga viti 2014”.

“Ky është një fakt i pakontestueshëm”,- tha ajo.

Balluku shtoi ndër të tjera se “nga 18 mars 2020 të gjithë konsumatorët e linjës 35 KW i drejtohen tregut të lirë me konkurrencë të hapur për të blerë energjinë. Po merren masa për të liberalizuar edhe shërbimin e konsumatorëve të lidhur në rrjetin 20 KW. Viti 2019 do merret si pikë reference, pasi është edhe viti me arkëtimet më të larta në shifrën 67.8 miliardë lekë”.

“Që nga viti 2014 nuk ka pasur asnjë rritje të çmimit të energjisë dhe shpërndarjes së tij tek konsumatori familjar dhe për më tepër nga 13,5 lekë kw/ora kemi zbritur në 9.5 lekë kw/ora në vitin 2014”, tha ministrja.

Ajo shtoi se, “çmimi energjisë nuk ka ndryshuar dhe ky është një fakt i pakontestueshëm, pavarësisht gjithë demagogjisë dhe politizimit që i bëjnë këtij elementi duke qenë shumë sensitiv për familjarët apo abonentët”.

“Po ndalem pak tek çmimi i energjisë për konsumatori familjar, që përbën numrin më të madh i abonentëve në rrjet. Kemi dëgjuar shumë që çmimi këto kohë po përdoret politikisht, por do të doja t’ju sillja në vëmendje se prej vitit 2014 ne kemi një çmim të palëvizur të energjisë”, u shpreh Balluku.

Lidhur me kostot për mbulimin e humbjeve në rrjet ministrja shpjegoi se, “150 milionë USD në vit ishte kosto për mbulimin e humbjeve në rrjet. Sot pas 5 vitesh kjo shifër është ulur nën 50%”.

“Pra gjatë vitit 2020 për balancimin e humbjeve kemi shpenzuar 70 milionë USD dhe kjo si rezultat i mirëmenaxhimit të kaskadës së Drinit dhe si rezultat mirëkoordinimit midis prodhuesit dhe shpërndarësit në mënyrën më të mirë eficiente”- tha Balluku. /m.m//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.