Restaurohet Kisha e Shën Barbaras në Pllanë të Lezhës/ Shërbeu edhe si shkollë në vitin 1638

TIRANË, 23 dhjetor/ATSH/ Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi mori pjesë sot në ceremoninë e organizuar në Lezhë me rastin e restaurimit të Kishës së Shën Barbaras në Pllanë.
“Kisha e Shën Barbaras në Pllanë të Lezhës, është një kishë e shekullit të 13-të, e cila mbart në vetvete histori të veçantë pasi i ka mbijetuar ndër shekuj shumë luftërave, tërmeteve e presioneve të ndryshme të kohës”, tha Kushi.
Ministrja tha se “ajo që ia shton më shumë vlerat është fakti që Kisha e Shën Barbaras ka shërbyer edhe si shkollë në vitin 1638, ku jo vetëm është mësuar gjuha dhe leximi shqip, por edhe është brumosur atdhedashuria dhe janë kultivuar ndjenjat e identitetit tonë kombëtar brez pas brezi”.

Kisha ndodhet mbi një kodër në anën lindore të fshatit Pllanë. Njihet nga vendasit dhe me emrin lokal të shenjtores si kisha e Shën Barbullës.

Dëshmitë më të hershme të dokumentacionit historik për kishën e Pllanës i përkasin vitit 1610.

Planimetria e kishës është e thjeshtë. Në përbërje të saj ka një ndërtesë në formë drejtkëndore si dhe një portik në anën perëndimore. Po ashtu, në anën lindore ka një absidë, e cila edhe sot ruhet mjaft mirë. Ana lindore e kishës përfaqësohet nga absida, e cila ka formë gjysmë rrethore të rregullt.

Ashtu si dhe në kishat e tjera përreth, edhe këtu janë vërejtur disa faza ndërtimi si dhe disa rindërtime, të cilat shfaqen në murin verior dhe në atë jugor.

/m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.