Dhënia e pensionit të veçantë për familjen e Klodian Rashës/ Hyseni: Akt human i shprehjes së dhimbjes dhe solidaritetit

TIRANË, 23 dhjetor /ATSH/  Deputeti i Partisë Socialiste, Alket Hyseni duke folur sot në Kuvend gjatë shqyrtimit të Aktit Normativ “Për një shtesë në ligjin “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”’ tha se, “ky ligj merr shkas nga ngjarja e fundit ku humbi jetën një 25-vjeçar, si pasojë e veprimeve në kapërcim apo në kundërshtim flagrant të ligjit nga një punonjës i Policisë së Shtetit”.

“Këto raste shkaktojnë, jo vetëm dhimbje në familje, jo vetëm dhimbje në shoqëri, por shpesh shkaktojnë edhe pasoja financiare dhe vështirësi të mëdha për familjet të cilave u ndodh. Për këtë arsye vjen ky reagim i qeverisë shqiptare. Ky reagim si një akt human i shprehjes së dhimbjes dhe solidaritetit. Ky reagim i qeverisë shqiptare, si një akt politik përgjegjshmërie institucionale. Ky reagim i qeverisë shqiptare, si një akt moral ndjese kolektive edhe kur faji mund të jetë individual”, tha Hyseni.

“Fatkeqët e politikës së vjetër, tentuan të keqpërdorin edhe këtë akt normativ, ashtu siç keqpërdorën ngjarjen për kreditë politike të pamerituara. U përpoqën të luajnë edhe me termin aksidental të këtij akti, i cili në fakt është një term i mirëfilltë juridik, zhargon në ligjin për sigurimet dhe risigurimet në Republikën e Shqipërisë, i cili në asnjë rast nuk konfondon faktin e ngjarjes dhe në asnjë rast nuk i jep të drejtë asnjë organi shtetëror, përveç se drejtësisë  për të definuar nëse kemi të bëjmë me një veprim të paligjshëm që është vepër penale, që dënohet si vrasje, apo si vrasje me dashje, apo nga pakujdesia apo çdo formë tjetër që përcakton ligji, Kodi Penal shqiptar”, u shpreh Hyseni.

“Kjo përpjekje fatkeqe e politikës së vjetër është pjesë e filozofisë së tyre të përfitimit të krediteve politike siç kanë bërë dhe në të kaluarën. E filozofisë së tyre për të keqpërdorur dhe për të paguar fëmijë të mitur për t’u dhënë në duar molotovë me benzinë, për të goditur shtetin, institucionet shtetërore. Për t’u dhënë në duar gurë për të goditur xhamat e muzeve dhe të teatrove të operave. Për t’u dhënë në dorë hunj për të goditur semaforët e transportit publik të qyteteve tona”, tha Hyseni.

“Janë ata mos harroni që shkaktuan Gërdecin me 26 të vrarë dhe qindra të plagosur dhe nuk pati një akt dorëheqje, qoftë dhe simbolik. Janë ata po ju kujtohet që shkaktuan 4 të vrarë dhe dhjetëra të plagosur në Bulevard, njerëz që ishin në ligjshmërinë e tyre të protestës dhe nuk pati një akt dorëheqje, përkundrazi, pati mbrojtje të kriminelëve me uniformë shtetërore”, u shpreh ai.

Hyseni theksoi se, “nuk mund të ketë ngjashmëri fare kjo filozofi e tyre me filozofinë tonë të keqardhjes, të ndjesës, të humanizmit, të përgjegjshmërisë dhe të ndjesës për aq sa mund të marri shteti edhe kur një pjesëtar që nuk mund të bëjë kurrë pis gjithë shtetin dhe nuk mund të bëjë kurrë pis gjithë Policinë e Shtetit kryen veprime të paligjshme”

“Politika e tyre në fakt të ngjan me dëshirën e paepur për ta mbajtur flakën e protestave dhe kur nuk mund të mbahet. Për të mbajtur politikën e tyre të vjetër të rigjallëruar dhe kur nuk mund të rigjallërohet. Por ama një gjë duhet ta dinë, vaji i kandilit të kësaj politike ka mbaruar njëherë e mirë me konsolidimin e shtetit shqiptar, shtet i cili di të reagojë me seriozitet dhe di të mbrojë veten dhe shoqërinë”, përfundoi Hyseni./a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.