Cakaj viziton “Muzeun e Alfabetit” në Manastir: Dorëzuam materiale të rëndësishme historike nga arkiva e shtetit shqiptar

TIRANË, 23 dhjetor /ATSH/ Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, zhvilloi ditën e sotme një vizitë zyrtare në “Muzeun e Alfabetit të Gjuhës Shqipe”, në Manastir të Maqedonisë së Veriut.

“Kjo është hera e parë që një ministër i jashtëm i Republikës së Shqipërisë viziton zyrtarisht Manastirin, aty ky 100 vite më parë, u zyrtarizua alfabeti i gjuhës shqipe”, njoftoi MEPJ.

Cakaj, dhuroi materiale të rëndësishme historike të ruajtura në arkivin e shtetit shqiptar, të cilat për vite me radhë i mungonin Muzeut të Alfabetit. Këto materiale historike, sipas Cakaj shërbejnë në forcim të mbarmendjes kombëtare e pasurimit të mëtejmë të Muzeut të Alfabetit të gjuhës shqipe.

Bëhet fjalë për korrespondencat dhe ftesat mes delegatëve, verbalet e punimeve të Kongresit, disa fotografi, si dhe vulën e shoqërisë literale “Ylli i Mëngjesit” të motrave Kajtazi. Tashmë këto materiale i janë shtuar fondit historik të Muzeut të Alfabetit, në Manastir.

Gjatë qëndrimit në Manastir, Ministri në detyrë Cakaj vizitoi gjithashtu Konsullatën e Nderit të Shqipërisë, si dhe zhvilloi takime me përfaqësues të komunitetit dhe shoqërisë civile  shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.