“Përballje me votë, jo pushtet në tavolinë”/ Hyseni: Opozita, asnjë alibi për 25 prillin

TIRANË, 21 dhjetor /ATSH/ Deputeti i Partisë Socialiste, Alket Hyseni deklaroi sot se, mazhoranca i ka hequr çdo alibi opozitës për zgjedhje që të përballen me votë, por, thotë ai pushtetin në tavolinë, opozita nuk do ta marrë kurrë.

“Ne i kemi garantuar që jemi gati të ulemi brenda kornizës kushtetuese dhe parimeve të njohura botërisht t’u japim lehtësitë e mundshme në mënyrë që t’u heqim çdo alibi për zgjedhje dhe të vijnë aty të ballafaqohen. Por pushtetin në tavolinë, nuk do ta marrin kurrë. Po të jenë të zotë ta marrin nga shqiptarët, do ta marrin me vota, kur t’u vijë dita, se këtë herë që vjen e shikoni vetë që s’kanë asnjë shans. Nga ana tjetër ne u kërkojmë që ta lënë Shqipërinë të udhëtojë në rrugën e saj të qetë pa i shkaktuar pengesë, pas pengesash si këto që përpiqen të sajojnë”, tha Hyseni në një intervistë televizive.

Për ndryshimin e ligjit që mbron dëshmitarët që kallëzojnë krimet zgjedhore, sipas Hysenit, është rënë dakord në 5 qershor.

“Patëm një platformë e cila mori përsipër disa angazhime të caktuara. Dhe ne i jemi përmbajtur atyre angazhimeve pikë për pikë. Nga ana tjetër, draftet kanë qenë drafte të shkruara nga ekspertë dhe jo të dakordësuara politikisht, por parimet kanë qenë të dakordësuara. Pra, është dakordësuar që t’u jepet lehtësi dhe mundësi njerëzve të cilët nëse sinjalizojnë për vepra të caktuara penale dhe nëse janë pjesëmarrës vetë, ata të lehtësohen apo përjashtohen nga përgjegjësia penale”, sqaroi Hyseni.

Nga ana tjetër, shpjegoi ai, e gjitha kjo bëhet në një kornizë të caktuar parimesh dhe nuk mund të jetë një shpikje thjesht shqiptare. “Çdo formulim duhet të jetë i ingranuar me Kodin Penal në tërësi dhe me parimet që paraqet ky Kod. Në thelb duhet të jetë një normë e aplikueshme”, tha Hyseni.

“Prokurori i Përgjithshëm, prokurorët e SPAK, ekspertë të fushës, draftit që pretendon opozita i vunë kryq. Është një draft që dhe po ta shkruanim sido që ta duan ata, nuk do zbatohej”, u shpreh Hyseni.

Hyseni u shpreh se nuk sheh ndonjë rrezik që lidhet me zgjedhjet si proces në tërësi, për më tepër që nuk ka asgjë thelbësore dhe nga pretendimet e opozitës.

“Nëse ka diçka të pretenduar tek Kodi Penal mund t’ju bëj me dije se rruga është e hapur. Sekretariati i Procedurave dhe Votimit, në fakt i ka sugjeruar kryetarit të Kuvendit që të konsiderojë të pavlefshëm votimin për një amendament të Kodit Penal që u bë. Për ndryshimin e asaj pjese të mbrojtjes së dëshmitarëve. Propozimi që ka bërë një nga kolegët tanë ka qenë më i plotë, ku përfshinte tërësisht edhe në kuptimin leksikor, pretendimet e opozitës, pra përveçse parimor. E përfshinte dhe në kuptimin leksikor. Sepse frika është e interpretimeve dhe për të mos i lënë shteg mund t’i hapet rruga e votimit në seancën tjetër, siç është rënë dakord. Por do shohim nëse opozita do nxjerrë ndonjë pretendim”, u shpreh Hyseni.

Hyseni gjithashtu u shpreh optimist për vënien në funksion të Gjykatës Kushtetuese brenda fundit të këtij viti. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.