Shfaqje ekstreme e fakt fatkeq përfshirja për herë të parë në historinë tonë e minorenëve në protestë

TIRANË, 18 dhjetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij gjatë prezantimit të ministrit të ri të Brendshëm Bledi Çuçi, i cili zëvendëson në këtë detyrë Sandër Lleshaj, tha se, “për herë të parë në historinë tonë si komb u përdorën minorenët për protestë”.

Rama foli për protestën pas vrasjes së Klodian Rashës nga një efektiv policie, duke e konsideruar fakt fatkeq përfshirjen e minorenëve.

“Ky moment dhe ky takim i sotëm ndodhin si rezultat i një ngjarjeje. Po unë dua ta nis me fundin, jo me zanafillën, për të shkuar pastaj dhe tek zanafilla. Kur them fundin, kam parasysh shpërthimin e një proteste goxha të veçantë në llojin e vet, e cila duhet të na bëjë të gjithëve të reflektojmë përtej faktit fatkeq se përfshirja për herë të parë në historinë tonë, dhe kur them historinë tonë, nuk kam parasysh vetëm historinë tonë të zhvillimeve demokratike, nuk kam parasysh as historinë tonë të afërt përtej këtyre zhvillimeve, por kam parasysh historinë tonë si komb, e minorenëve, fëmijëve, për të luftuar brenda vetes, për qëllime të caktuara, një fakt tejet fatkeq, por sidoqoftë domethënës, jo vetëm për të kuptuar natyrën e agresionit ndaj Policisë së Shtetit, një agresion i frymëzuar, i nxitur, i organizuar, sistematik, për vite e vite me radhë”, tha Rama.

Kreu i qeverisë shtoi se “për të kuptuar edhe përtej kësaj se çfarë ne, dhe kur them ne, nuk kam parasysh strukturën e Ministrisë së Brendshme, përtej Policisë së Shtetit. Po kam parasysh të gjithë qeverinë, kam parasysh të gjithë shoqërinë, duhet të bëjmë që kurrë më të mos përsëritet një shfaqje e tillë ekstreme, e denjë për vende ku fëmijët janë mish për top për organizata ekstremiste, organizata terroriste, për organizata me synime ekstreme që nuk ndalen në përdorimin e mjeteve ekstreme”.

“Urdhrat dhe thirrjet e policisë nuk mund të diskutohen, ata duhet vetëm të zbatohen dhe natyrisht nuk dëshiroj unë që të tregoj këtu pse sot nëse do të shohim se kush e sulmon Policinë e Shtetit, se kush e terrorizon dhunën, se kush përpiqet ta mveshë me fjalë tërheqëse rreth zhgënjimit dhe frustrimit popullor, atë që është e patolerueshme ushtrimin e dhunës është ose pjesë e amnistuesve pa kushte të masakrës së 21 Janarit, ose pjesë e një axhende politike, për shkak të së cilës Policia e Shtetit ka vuajtur kaq shumë ndër vite”.

Rama theksoi se është goditur Policia e Shtetit, pasi Policia e Shtetit është një nga shëmbëlltyrat më kuptimplota të ndryshimit që kanë ndodhur në këto 7 vite. “Është goditur Policia e Shtetit pasi është bërë më shumë e shtetit dhe është gjithmonë e më pak e individëve, dhe s’është më fare e pushtetit. I them këto për të gjithë punonjësit e policisë që natyrisht janë edhe prindër, edhe anëtarë familjesh. Nuk është sakrifica dhe mundi e puna e tyre që kanë shkuar dëm, por e kundërta, kanë dhënë rezultate dhe janë rezultatet arsyeja se pse Policia e Shtetit sulmohet”, tha Kreu i Ekzekutivit.

“Hidhen përpjetë ndaj qeverisë, sikur Policia e Shtetit të jetë një polici e keqpërdorur e ndonjë regjimi amerikano-latin”, tha Rama, teksa shtoi se, e vërteta e thjeshtë, faktike është se Policia e Shtetit, në të gjithë këtë periudhë, bazuar në të gjithë referencat ndërkombëtare, në vite, vit pas viti është bërë gjithnjë e më e besueshme, gjithnjë e më e mbështetur nga opinion publik.

“Nuk është opinion publik një pakicë që arrin të bëjë zhurmën dhe të përziejë përditë e përditë, e përditë, zorrët e këtij populli, përmes mjeteve që ka, përmes, lugëve, pirunjve, thikave, pjatave, tepsive, kazanëve që ka. Nuk është opinioni publik. Dhe fati ynë i madh është që jemi pjesë e një populli shumë të mençur që nuk merret dot për budalla”, tha Rama. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.