Kantieri i ujit në Librazhd/ Përmbyllet rindërtimi i infrastrukturës për furnizimin me cilësi për 11 mijë banorë

TIRANË, 18 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama inspektoi sot punimet që po kryhen në kantierin e ujit në Librazhd, një investim në kuadrin e programit kombëtar “Ujë 24”, që përmbyll rindërtimin me themel të infrastrukturës për furnizimin me ujë të pijshëm e me cilësi për 11 mijë banorë, si edhe kanalizimet e ujrave të bardha e të zeza.
Rama tha se “‘sistemi i ujësjellës kanalizimeve i Librazhdit nga një rrjet krejtësisht i amortizuar ndërtuar në vitin e largët 1970, transformohet në 43 kilometra rrjet të ri të brendshëm ujësjellësi dhe sistem kanalizimesh, me 12 kilometra linjë kryesore e dytësore, sipas standardeve bashkëkohore, monitoruar në kohë reale nëpërmjet sistemit modern SCADA”.

“Më vjen shumë mirë që po shikojmë shumë punë, me shumë kantiere. Faktikisht janë mbi 120 kantiere të hapura sot në gjithë territorin e Shqipërisë. Objektivi është që brenda 2021 të gjitha zonat urbane të kenë ujë 24 orë, ndërkohë ka filluar shtrirja edhe drejt njësive të mëdha administrative në zonën rurale”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “është një përmbysje e një historie dhjetra-vjeçare të ndërtimit të ujësjellësave një tub këtu një atje, 10 vota këtu 30 vota atje”.

“Edhe me aktin normativ që kemi aprovuar në qeveri ditën e mërkurë kemi një volum të madh financimi tjetër për ujësjellësat dhe kam bindjen që ky është mandati i fundit i një qeverie në këto 30 vjet ku do të mund të diskutohet akoma uji i pijshëm për zonat urbane në tërësi”, tha Rama.

Ai theksoi se “do të vazhdojë shtrirja edhe në zonat rurale ku ka filluar dhe ka pjesë të tëra që kanë furnizim por të mos harrojmë që uji i pijshëm me sistem nuk ka qenë asnjëherë në historinë e Shqipërisë në të gjithë territorin”.

“Sigurisht këto kanë kërkuar punën e tyre por është interesante kur thonë ‘akoma flisni për ujin’. Por uji është pjesë e asaj trashëgime të llahtarshme që ne morëm para 7 vitesh e dy muajsh. Nëse të tjerët se bënë për 30, 40 e 50 vjet dikush duhet ta bëjë. Ne po e bëjmë dhe fushata e ardhshme nuk do jenë më fushatë ku do të shkohet në qytete dhe do të thonë ‘do t’ju sjellim ujin’, se uji do të jetë 24 orë”, tha Rama.

/m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.