Basha pret Vjosa Osmanin: Mbështesim fuqimisht dialogun Serbi-Kosovë për njohjen e ndërsjellë

TIRANË, 18 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti sot në një takim, presidenten në detyrë të Kosovës dhe kryeparlamentaren Vjosa Osmani.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp pas takimit, Basha garantoi për mbështetjen e palëkundur të forcës politike që drejton ndaj Kosovës.

“Shpreh zotimin tim dhe të PD-së se pas 25 prillit do të ketë një kthesë rrënjësore, një ndryshim rrënjësor të qasjes së Tiranës ndaj Kosovës dhe një mbështetje totale të institucioneve të Kosovës. Jam krenar që në themelet ekzistencës sonë si PD ka qenë çështja e Kosovës. Kemi bërë gjithçka për pavarësimin e saj dhe njohjen ndërkombëtare dhe jam jashtëzakonisht i brengosur që në një kohë të vështirë për Kosovën institucionet e Kosovës nuk kanë mbështetjen që duhet të kenë nga Shqipëria”, tha Basha.

Ai siguroi se “Kuvendi i ri i Shqipërisë i dalë nga zgjedhjet e 25 prillit, do të nxjerrë një rezolutë për të dënuar genocidin serb në Kosovë, por edhe një kuadër të veçantë që do të obligojë të gjitha institucionet e Shqipërisë të jenë edhe njëherë në mbështetje totale të institucioneve të Kosovës. Ne nuk mund të lejojmë që historia të rishkruhet nga agresorët”, tha Basha.

Ai tha se “mbështesim fuqimisht dialogun Serbi – Kosovë për njohjen e ndërsjellë të dy shteteve për të përfunduar një kapitull të dhimbshëm dhe për të hapur rrugën e stabilitetit demokratik”.

Po ashtu Basha theksoi nevojën për të eleminuar barrierat zyrtare dhe jozyrtare mes dy shteteve, që sipas tij, “vazhdojnë të pengojnë integrimin ekonomik mes dy vendeve tona”.

“Një nga vendimet e para të qeverisë time do të jetë heqja e traut në Rrugën e Kombit si dhe negocimi me qeverinë e Kosovës për mosvendosjen e asnjë pengese tarifore në autostradën “Ibrahim Rrugova””, tha ai.

Basha tha gjithashtu se “kemi një detyrim të madh ndaj rinisë në Shqipëri dhe Kosovë dhe si dy përfaqësues të brezit të ri në politikë shohim të ardhmen e dy vendeve tek rinia”.

Basha theksoi po ashtu nevojën për bashkëpunim në luftën kundër kapjes së shtetit, krimit dhe korrupsionit.

Ndërsa Osmani theksoi nevojën e bashkëpunimit pa ekuivok dhe pa asnjë barrierë. “Të punojmë të gjithë bashkërisht, pavarësisht cilës parti i takojmë që t’i eliminojmë barrierat se mbi të gjitha jemi shqiptarë. Të punojmë bashkërisht që flamuri i Kosovës dhe ai i Shqipërisë të valëviten krah njëri-tjetrit në të gjitha organizatat ndërkombëtare se kjo është çështje fondamentale për fuqizimin e shtetësisë së Kosovës”, tha ajo.

Osmani tha se “kërkesa jonë është që Shqipëria të jetë shteti i dytë pas Kosovës, që të dënoj genocidin serb në Kosovë, përmes një rezolute”.

“Është kërkesë plotësisht legjitime që nuk do të duhej të haste në vonesa e as në pikëpyetje. Ashtu si vepruam me një zë në të kaluarën, ashtu të veprojmë edhe tani. Serbia po e falsifikon historinë, e cila ka ndodhur para syve të gjithë botës”, tha ajo. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.