Osmani mban fjalim në Kuvend: Shqipëria dhe Kosova janë shndërruar në faktor stabiliteti dhe paqeje

TIRANË, 17 dhjetor/ATSH/ Kryetarja e Kuvendit të Kosovës dhe ushtruese e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, e cila ndodhet për vizitë zyrtare në Tiranë, u shpreh sot gjatë një fjalimi në Kuvend se “Kosova nuk mund ta shpërblejë Serbinë me territorin e saj, Serbia duhet të pendohet dhe të kërkojë falje dhe kjo duhet të jetë e qartë për këdo”.

“Shqipëria është jo vetëm atdheu i bashkëvëllezërve dhe bashkëmotrave tona, por është ëndrra jonë e përbashkët, është kujtesa jonë historike, vatra në të cilën ne ëndërronim të jetonim, në të cilën fatkeqësisht shumë prej nesh e takoi vetëm në acarin e luftës së ftohtë. Ajo u bë vatra jonë, shtëpia e zemërbujarëve shqiptarë, të cilët na mbajtën gjallë ne, por edhe shpresën e përbashkët për liri. Ju jemi mirënjohës përjetë”, u shpreh Osmani.

“Sot kur unë gjendem para jush hapësira kulturore shqiptare po funksionon, lidhjet shpirtërore për shkak të rrënjëve etnike po thellohen dhe komunikimi ynë po na afron edhe më shumë me njëri-tjetrin”, – tha Osmani.

Kryeparlamentarja Osmani theksoi se “Shqipëria dhe Kosova janë shndërruar në faktor stabiliteti dhe paqeje dhe po ecin krah njëra-tjetrës në procesin e integrimit europian duke njohur dhe respektuar njëra-tjetrën”.

“Pavarësia e Kosovës ka vulosur fatin tonë dhe popujve në të gjithë Ballkanin. Ne e dimë se si është të jetosh në një regjim shtypës dhe të dhunshëm, në të cilin rrënjët etnike janë përdorur si argument i mjaftueshëm për të qenë të shtypur e të vrarë. Ne kemi përjetuar këtë dhe mund të dëshmojmë. Historinë ne e kemi në krah. Këtë rrugëtim ne e bëmë krah miqve tanë të cilët na kanë qëndruar pranë që nga dita e parë e çlirimit. Si Presidente në detyrë e Republikës dua t’i bëj thirrje të rinjve, vajzave e grave që t’i ndjekin synimet e tyre dhe të besojnë se ëndrrat mund të jetësohen dhe të mos dorëzohen përpara asnjë sfide dhe të këmbëngulin në vlerat e tyre”, vijoi Osmani.

“Sot dialogu me Serbinë është ende i pambyllur dhe ne duam vetëm njohjen e ndërsjellë, paprekshmërinë e territorit tonë. Kosova nuk mund ta shpërblejë Serbinë me territorin e saj. Serbia duhet të pendohet dhe të kërkojë falje. Kjo duhet të jetë e qartë për këdo. Vetëm kur t’i bashkojmë zërat tanë mund të dëgjohen në trojet e Serbisë. Drejtësi për fëmijët e vrarë, motrat tona që u dhunuan nga serbët, Kosovës nuk mund t’i kërkojë askush më. Kosova ka dhënë më të shtrenjtët e saj. E kemi detyrë kombëtare, detyrë njerëzore e morale, fillimisht ta mësojmë kapitullin që qëndron përpara nesh. Serbia nuk ka ndryshuar ende mendim. Duhet të bashkojmë forcat që e vërteta mos të përmbyset përpara syve tanë. E vërteta është vetëm një, që Serbia ka kryer masakra”, – theksoi Osmani.

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, tha në fjalën e tij se Osmani, bijë e Mitrovicës dhe e Kosovës, është një politikane e re, energjike dhe e respektuar.

“Ajo është shquar ndër profesionistët dhe profesionistet e reja të Kosovës, si juriste dhe njeri i ligjit, e diplomuar ekselente në Universitetin e Prishtinës dhe të Pitsburgut në Shtetet e Bashkuara, dhe me një karrierë të spikatur si profesore e së drejtës. Prej muajit shkurt të këtij viti është zgjedhur Kryetare e Kuvendit dhe, prej fillimit të muajit nëntor, është Presidente në detyrë e Republikës së Kosovës”, – nënvizoi Ruçi.

Kryetari Ruçi tha se “rrallë ndodh që një politikan, për më tepër një politikane, në moshë të re dhe në fillimet e karrierës politike, të mbajë përgjëgjësi kaq të mëdha dhe barrë kaq të rënda për shtetin dhe popullin e vet”.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.